E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në protestë me traktorë

Bujq nga e tërë Kosova, më 10 prill, do t’i “shurdhojnë” me traktorë për një orë qytetarët e Prishtinës.

Ky vendim i Konfederatës Sindikale të Buqëve të Kosovës vjen pas dështimit të negociatave me Qeverinë e Kosovës, për më shumë investime në bujqësi.

Njëherësh kjo protestë do të jetë edhe sfida e parë e ministrit të sapoemëruar në Ministrinë e Bujqësisë, Blerand Stavileci.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahi Tahiri, ka thënë për Express se afatin që ia kishin dhënë Qeverisë deri më 25 mars, nuk ka shërbyer për asgjë. Ata janë injoruar dhe për këtë kanë vendosur që të protestojnë më 10 prill.

“Çështja e dialogut ka marrë fund. Më 10 prill do të shkohet në protestë”, tha Tahiri.

Ndryshe nga ajo që patën deklaruar para një muaji se do të jetë protestë e qetë, Tahiri deklaroi se bujqit do t’i përdorin edhe traktorët dhe mjete të tjera përcjellëse.
“Kemi ndryshuar taktikën e protestës. Pra, secili bujk do ta ketë nga një traktor me vete”, tha ai.

Disa nga kërkesat e bujqve janë ndarja 10 për qind e mjeteve të buxhetit të Kosovës për bujqësinë, subvencionimi me nga 200 euro për 1 hektar për fermerët, formimi i një agrobanke për kredi afatgjatë dhe me kamata të ulëta për bujqit. Pastaj ndalimi i uzurpimeve të tokave bujqësore dhe ndërprerja e importit nga Serbia.

Të gjitha këto kërkesa, sindikalistët ia kanë adresuar direkt kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e kanë pritur për dy javë për bisedime.

Po ashtu, sindikalistët e vlerësojnë si shumë të rëndë gjendjen e bujqësisë kosovare dhe pa kurrfarë shanse për përmirësim dhe me tendencë të keqësimit.

Buxheti i ndarë për Ministrinë e Bujqësisë për këtë vit është 11.6 milionë euro, apo 500 mijë euro më pak sesa ishte vjet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›