E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, mendimi më i bukur

02-06-2011 / Nga Valon Murtezaj

Nuk po i shkruaj këto fjalë veç prej frymëzimit që fuqia e vargut të Mjedës të jep kur e lexon, “ndër komb’ tjera; ndër dhena tjera, ku e shkoj jetën tash sa mot; veç për ty m’rreh zemra e mjera; e prej mallit derdhi lot”. As tregim për të rrëfyer s’kam, por është koha të mësojmë t’i lexojmë shenjat.
Kur vështrohet bota nga një kënd tjetër, gjithë atë çka ngjan përreth, vizion i vërtetë për Kosovën në ditët që po vijnë, është vizioni i ri frymëzues, që rrezaton energji dhe entuziazëm, që ngjall shpresë dhe emocion. Është ai vizion, thënë me fjalët e Gibranit, ‘që ka një lot që e bashkon me ata që e kanë zemrën e thyer, që ka një buzëqeshje shenjë e gëzimit të ekzistencës’.
Kosova ka zgjedhur udhën e vet ta bëjë me miq, sepse kjo e çon më larg. Vlerat perëndimore, e ardhmja përplot mundësi dhe kërkimi i lumturisë është fjalori i vetëm i këtij vizioni. Këtu asnjë turbulencë orientimi nuk ka. Zoti kërkon shokë dhe dashuri, djalli kërkon skllav dhe nënshtrim, ka thënë Tagore.
Ka ardhur koha që ëndrra e kahershme, ideali i vizualizuar, për një jetë më të mirë në një vend mes vendesh, në barazi, të kthehet në jetë të përditshme. Tash duhet të fillojë ndryshimi, që Kosova të rritet lule. Të mos vyshket ende pa çelur, siç e duan dhe për të cilën gjë punojnë mendjet e shpirtrave të ligj.
Kosova ka nevojë të respektojë shpirtin e vet të madh që ka. Emersoni do të thoshte ‘veç ky shpirt do të jetë i fortë që të jetojë dhe po ashtu të mendojë’. Kjo do ta bëjë Kosovën ta mbajë veten, siç e ka mbajtur gjithmonë, në rrugën e drejtësisë dhe të së vërtetës. Në çdo frymë që merr, në çdo hap që bën, populli i saj, udhëheqësit, duhet ta jetojnë këtë, ta mendojnë këtë. Sepse, Kosova është mendimi ynë më i bukur.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›