Katolikët e Evropës shqyrtojnë perspektivat e marrëdhënieve ndërmjet Kishës dhe Islamit
Në një takim që mbahet në Torino, Konferencat ipeshkvnore katolike të Evropës flasin mbi marrëdhëniet ndërmjet Kishës e islamit. Thellimi i islamofobisë apo i urrejtjes kundër myslimanëve në gjirin e bashkësive të krishtera dhe në shoqërinë bashkëkohore, si dhe mënyra si trajtohen bashkësitë myslimane, në kuadrin e ligjeve që rregullojnë në vende të ndryshme, marrëdhëniet ndërmjet shteteve e bashkësive fetare, janë në qendër të vëmendjes në takimin e ipeshkvijve, me temë “Kisha dhe islami në Evropë; rritja e islamofobisë dhe përfshirja e bashkësive islamike në kuadrin ligjor të vendeve të ndryshme evropiane”. Takimi, që do të përfundojë nesër, u hap dje në Torino. Të pranishëm delegatë nga Konferencat Ipeshkvnore të Evropës, përgjegjës për marrëdhëniet me myslimanët.
Duke hapur takimin, kardinali Zhan Pierre Rishard, kryeipeshkëv i Bordosë dhe zëvendës-kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCee), kujtoi se shumë shtete përpiqen të hyjnë në dialog me bashkësitë e ndryshme myslimane. Por kjo përpjekje ndesh sot një sërë tensionesh etike, kombëtare e ideologjike, që përshkojnë vetë bashkësitë myslimane. Qëndrimi i disa politikanëve, pastaj, nxit shpesh edhe në bashkësitë e krishtera qëndrime të ashpra, mospranim të emigracionit në përgjithësi e të atij islamik, në veçanti.
Kryeipeshkvi i Torinos, imzot Çesare Nosilia, nënvizoi se ideologjitë dhe lëvizjet e partive të ndryshme të vendeve evropiane, e përdorin shpesh urrejtjen për islamin si element të rëndësishëm, për të fituar sa më shumë vota gjatë zgjedhjeve. Mbetet detyrë jo e lehtë – theksoi prelati – ta mendojmë e ta rimendojmë kuadrin ligjor të bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve, në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Është detyrë e shtetit laik – pohoi në përfundim imzot Duarte Da Kuhna, sekretar i përgjithshëm i Këshilli të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës – t’u garantojë feve e njerëzve, lirinë e sigurinë. Ky impenjim – përfundoi - hamendëson krijimin e një kulture, që di t’i respektojë larmitë, gjithnjë më të ndjeshme në një botë, e cila vijon të bëhet më shumëngjyrëshe. Radio Vatikani pyeti sekretarin për ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar të Konferencës Ipeshkvnore të Piemontit, në Itali, don Andrea Paçini, se si konceptohet sot Islami në vendet evropiane. Ai përgjigjet: “Në Evropë, dialogu ndërmjet katolikëve e myslimanëve është shumë aktiv e i organizuar, posaçërisht, në Francë. Në vende të tjera nuk ka takime të karakterit formal, por kryesisht në nivel dioqezan, me synim që të jepet ndihmesa për bashkëjetesën lokale, së paku në planin e njohjes së anasjelltë, në perspektivë për të krijuar një bashkëjetesë më të harmonishme. E unë mendoj se në Evropë ka disa mundësi për ta njohur më mirë islamin, sidomos përmes universiteteve e veprimtarisë së Konferencave ipeshkvnore. Varet, pastaj, nga jehona, që mund të bëjnë këto përpjekje në opinionin publik, i cili nganjëherë informohet keq e, natyrisht, pastaj, edhe reagon keq. Duhet kulturë, prandaj, e sidomos, nuk duhet identifikuar çdo fraksion fanatik i islamit në nivel ndërkombëtar, me myslimanët e veçantë, të cilët duhen dalluar nga grupet ekstremiste. E Kisha katolike impenjohet pikërisht për këtë dallim e për këtë njohje, që çon vërtet në krijimin e bashkëjetesës të domosdoshme për Evropën e botën e sotme, gjithnjë më shumëkombëshe”.
Në katekizmin e Benediktit XVI, paraqite lutja e Moisiut/Kryqi është urata e Jezusit. Mbi kryq ai vërtetë gjendet sy më sy me Hyjin. Të krishterët janë të thirrur të identifikohen me kryqin “bashkëkohës i të njerëzve”. Ky është kuptimi i lutjes sonë. Kështu tha Papa duke iu drejtuar dje paradite, besimtarëve të pranishëm në takimin e zakonshëm të audiencës së përgjithshme të së mërkurës që u mbajt në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan.Pra, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në praninë e 20 mijë vetëve, Papa vijoi katekizmin kushtuar lutjes. Në qendër të vëmendjes, sot, figura e Moisiut, parë pikërisht si njeri i lutjes. Episodi i viçit të artë, treguar në Librin e Daljes, ishte fill përcjellës i gjithë audiencës. Ati i Shenjtë reflektoi edhe një herë për forcën e lutjes e, sidomos, për mënyrën si Moisiu ndërmjetësoi, duke iu lutur Hyjit të mos e dënonte popullin hebre, i cili kishte adhuruar një idhull, në vend të Zotit të vërtetë. Nuk ka asnjë dyshim se popullin hebre, që marshonte drejt Tokës së Premtuar, e shpëtoi nga mijëra rreziqe, që i dolën para gjatë këtij shtegtimi tejet të vështirë, ndërmjetësimi i vazhdueshëm i Mosiut pranë Zotit. E Zoti iu përgjigj gjithnjë, duke mos ia kursyer mbrojtjen. Kështu Moisiu, profeti i madh e prijësi i shquar në kohën e Daljes nga Egjipti, luajti rolin e ndërmjetësuesit të popullit të vet pranë Zotit, duke u kumtuar hebrenjve fjalët dhe urdhërimet hyjnore, për t’u prirë, pastaj kah Dheu i Premtuar. Mosiu i mësoi izraelitët të jetojnë sipas urdhërimeve të Tënzot. Ai ushqeu vazhdimisht besim e shpresë në zemër të popullit të vet, që shpesh lëkundej e dëshpërohej gjatë ecjes në rërën pa fund të shkretisë. E këtë e bëri posaçërisht duke i mësuar njerëzit e tij të luten. Ai lutet për Faraonin, kur Zoti, me plagët e rënda, përpiqet t’i kthejë zemrat e egjiptianëve (cfr Dal. 8-10); lutet edhe për shërimin e së motrës, Marisë, që u sëmur nga gërbula (cfr Nr. 12, 9-13). Moisiu lutet kur zjarri po shkrumbonte fushimin (cfr Nr. 11,1-2) e edhe kur gjarpërinjtë e helmatisur nisën të bëjnë kërdi mbi njerëzit e tij (cfr Nr 21. 4-9). I drejtohet gjithnjë Zotit e reagon duke protestuar, kur barra e misionit të tij nis t’i rëndojë përtej fuqive (cfr Nr 11, 10-15). Moisiu e shikon Zotin e flet me të “sy më sy”, ashtu si flet njeriu me mikun e vet (cfr Dal 24, 9-17; 33, 7-23;34,1-10.28-35. Ndërmjet gjithë këtyre ngjarjeve, Papa theksoi më simboliken, atë të viçit të artë. Historia njihet: ndërsa mbi majën e Sinait Zoti i dorëzon Moisiut rrasat e Ligjit, në luginë hebrenjtë tërbohen. I lodhur nga shtegtimi me një Zot të padukshëm, tani që edhe Moisiu, ndërmjetësuesi, është zhdukur, populli - kujtoi Papa – kërkon një prani të dukshme, një zot, që i shkon më shumë për shtat njeriut, që mund të përkojë me prirjet e tij, me qëllimet e tij: “Ky është tundimi i përhershëm në shtegtimin e fesë: t’i shmangesh misterit hyjnor, duke ndërtuar një zot të kuptueshëm, që pajtohet me skemat tona, me planet tona. E kur kjo ndodh në Sinai, tregon gjithë kotësinë e marrë e të rreme të këtij pretendimi sepse, siç pohon me ironi Psalmi 106, “shkëmbehet lavdia, me figurën e një viçi, që ha bar”. Zoti komunikon me Moisiun e i kumton se ka vendosur t’i dënojë izraelitët, që e tradhtuan dashamirësinë e tij; Mosiu i përgjigjet, duke kërkuar falje, në një ndeshje, që të kujton menjëherë atë të Hyjit me Abrahamin, kur është fjala për shpëtimin e Sodomës e të Gomorrës. Ndeshje, në të cilën – shpjegoi Benedikti XVI – vetë Zoti dëshiron që krijesa ta kuptojë, përmes lutjes, se dëshira e vetme e Atij të Lumit, është pikërisht ‘të falë’. “Ky është shpëtimi i Zotit, që mëshiron, por duke e shpallur të vërtetën mbi mëkatin, mbi të keqen, kështu që mëkatari, si ta ketë pranuar, të pendohet, ta lërë veten në dorë të Zotit, që ta falë e ta shndërrojë. Lutja e ndërmjetësimit e bën, kështu, veprues, në realitetin e kalbur të njeriut mëkatar, mëshirën hyjnore, që gjen shprehje në përgjërimin e lutësit, i cili kërkon falje, atje ku ka nevojë për shpëtim”.
Papa u ndalua edhe tek argumentet e përdorura nga Moisiu për ta bindur Zotin. I kujtoi, për shembull se, duke e pasë çliruar Izraelin nga egjiptianët, për ta bërë pastaj të vdesë në shkretirë, mund ta shtynte popullin të mendonte se Zoti ishte i paaftë të fitonte mbi mëkatin e mbi të keqen: “Vepra e shpëtimit, që nisi, duhej çuar deri në fund; në se Zoti do ta zhdukte popullin e vet nga faqja e dheut, kjo mund të shikohej si paaftësi hyjnore për ta përmbushur pikërisht planin e shpëtimit. Zoti nuk mund ta lejojë këtë: ai është Zot i mirë, që shpëton; është mbrojtës i jetës, është Hyj i mëshirës e i faljes, Hyj i çlirimit nga mëkati, që vret. E kështu Moisiu i bën thirrje Zotit, jetës së brendshme të Hyjit, kundër vendimit të tij të jashtëm”.
Në përfundim, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, Papa kujtoi se kjo faqe e Besëlidhjes së Vjetër, na shoqëron tek Besëlidhja e Re, tek figura e ndërmjetësuesit të vërtetë, të dërguar nga Hyji një herë e përgjithmonë për ta shëlbuar njerëzimin e të gjitha kohëve, jo duke i imponuar një ligj, por duke flijuar jetën e vet: “Në figurën e Moisiut, në maje të malit, që e shikon sy më sy Zotin e ndërmjetëson për popullin e vet, duke dhuruar vetveten, Etërit e Kishës panë shëmbëllimin e Krishtit, i cili, nga maja e lartë e kryqit, është vërtet para syve të Zotit, e jo vetëm si mik e si bir, sepse ndërmjetësimi i tij nuk është thjesht solidaritet, por njëjtësim me ne: na përfshin të gjithëve në korpin e vet. E kështu e gjithë jeta e tij si njeri e si Bir, s’është tjetër, veçse një britmë drejtuar zemrës së Hyjit, është falje, por falje që shndërron e rinon”. Për t’u kujtuar, ndërmjet përshëndetjeve, ajo në gjuhën polake, gjatë së cilës Benedikti XVI kujtoi përsëri Lumnimin e Gjon Palit II, duke ua paraqitur të rinjve si Atë, prijës, mik, e duke kujtuar ngulmimin e tij në lutje, aftësinë për t’ia hapur zemrën të gjithëve e për të hyrë në zemrën e të gjithëve.
Marrë nga Radio Vatikani