Krimet e Ratko Mladiqit
Mladiqi ndërmori spastrim etnik, i cili, edhe pse i dënueshëm, nuk është i njëjtë me gjenocidin. Definicione të paqarta do të trimërojnë më shumë ndërhyrje ushtarake, si pasojë e kësaj edhe më shumë luftëra. Duke iu kthyer shpeshherë fantazmës së Hitlerit, ne hedhim në plan terciar masën e asaj që kishte bërë ai
Ratko Mladiq është një burrë që më lehtësi mund ta urresh. Në ditët kur ishte në qendër të vëmendjes, ai jo vetëm që fliste dhe sillej si një rrugaç, por njëmend edhe dukej i tillë – një burrë qafëtrashë dhe syjeshilë, që me kënaqësi do t’i nxirrte thonjtë për pikë të qejfit. Në mesin e shumë krimeve, Kasapi i Bosnjës ishte përgjegjës në verën e vitit 1995, për masakrimin e tetë mijë djemve dhe burrave të paarmatosur myslimanë të Bosnjës në malet përreth Srebrenicës.
Prandaj kapja e tij në fshatin serb Lazarevë na ka dhënë një lloj kënaqësie. Serbia ka fituar respekt me arrestimin e Mladiqit, duke ia hapur kështu vetes mundësinë e marshimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Familjet e viktimave të Mladiqit do të ndiejnë një lehtësim pasi më në fund drejtësia po vihet në vend.
Ama gjykimi i ardhshëm i Ratko Mladiqit do të ngrejë shumë pyetje të sikletshme. Pse, para së gjithash, nuk gjykohet ai në një gjykatë të Beogradit, por dërgohet në Hagë? Dhe a është urtësi ta akuzosh atë edhe për gjenocid, sikurse edhe për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte?
Të dyja këto pyetje janë sesi ne ende vazhdojmë të jetojmë në hije të Tribunalit të Nurembergut, ku prijësit nazistë ishin gjykuar nga një panel ndërkombëtar i drejtësisë. Ishte menduar, mbase me të drejtë, se gjermanët nuk do të ishin të aftë t’i gjykonin ish-liderët e tyre. Dhe krimet e nazistëve ishin aq të tmerrshme dhe të përmasave të mëdha saqë ligjet e reja – “krimet kundër njerëzimit” – u desh të krijoheshin për t’i gjykuar ata që zyrtarisht ishin përgjegjës për urdhërimin e tyre. Edhe shtetet po ashtu duhet të bëhen përgjegjëse për veprat e tyre – si rrjedhojë, në vitin 1948, u hartua Konventa e Parandalimit dhe Ndëshkimit të Krimit të Gjenocidit.
Holokausti nuk ishte thelbi i gjykimeve në Tribunalin e Nurembergut. Kështu që, aleatët menduan se projekti nazist për shkatërrim komplet të një populli bënte thirrje për një qasje të re ligjore, për t’u siguruar se një gjenocid më nuk do të zbatohej.
Problemi me gjenocidin, si një koncept ligjor, është se është i mjegullt. U referohet “akteve të kryera me qëllim të shkatërrimit, në përgjithësi apo pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar”. Theksi vihet mbi “qëllimin”, e jo në numrin e njerëzve jetët e të cilëve janë shkatërruar. Mao Ce Duni ka vrarë më shumë se dyzet milionë kinezë, por a synonte ai shkatërrimin e tyre si një grup? Pa dyshim se jo. Ne e dimë se Hitleri u mundua ta asgjësonte çdo burrë, grua apo fëmijë hebraik. Edhe pse vrasjet masive nuk janë të rralla në histori, plani i Hitlerit për asgjësim, nëse nuk ishte unik, pa dyshim se ishte shumë i pazakonshëm.
Megjithatë, thirrjet e zëshme për ta parandaluar një gjë të tillë kanë pasur pasoja fatkeqe. Prandaj në qëllimin tonë për të mësuar nga historia, ne mësojmë gjërat e gabuara, ose e çojmë historinë drejt fundeve të dyshimta.
Në një mënyrë, vrasjet në Srebrenicë po ashtu ishin prekur nga kujtimet e Luftës së Dytë Botërore. Batalioni holandez i Kombeve të Bashkuara premtoi se do t’i mbronte myslimanët e atjeshëm, ani pse nuk ishte në pozicion për ta bërë një gjë të tillë. Ishte një premtim që pjesërisht reflektoi ndjenjën e fajit që ende i nxit holandezët të shikojnë të tjera mënyra, sikurse gjermanët që kishin ndjekur dhe deportuar dy të tretat e popullatës së tyre vendore hebraike në kampe të vdekjes. Kësaj here do të ishte ndryshe. Kësaj here ata do të vepronin. Të munduar nga numri më i madh i forcave të armatosura të Mladiqit, ata ua dorëzuan atyre Srebrenicën.
Për shkak të traumës së qëllimit të Hitlerit për t’i shfaruar hebrenjtë, gjenocidi është bërë një arsye për aksione ushtarake, përfshirë ndërhyrjen e armatosur në vendet e tjera. Por çfarë e përbën gjenocidin? Bernard Kouchner, themelues i “Mjekëve pa kufij”, donte që bota të ndërhynte në Nigeri në vitin 1970, për shkak se kishte parë vrasjen e ibove nga trupat nigeriane si një jehonë gjenocidi të Auschëitzit. Të tjerët e shikonin si një luftë brutale civile, dhe paralajmëronin se ndërhyrja vetëm sa do t’i përkeqësonte gjërat.
Për disa, ne po jetojmë përgjithmonë në vitin 1938, apo në vitin 1942, kur nazistët aprovuan atë që Hitleri e quajti “zgjidhja përfundimtare e pyetjes hebraike”. Presidenti George W. Bush dhe flamurtarët e tij, duke iu kthyer Marrëveshjes së Munihut në shumë raste, i konsideruan sulmet terroriste të 11 shtatorit si një thirrje armëve. Saddam Husseini ishte Hitler, kështu që duhet t’i dërgojmë trupat tona atje. Ne duhet ta ndalim gjenocidin në Darfur të Omar al-Bashirit të Sudanit. Ne duhet ta ndalim kolonelin Gaddafi nga kryerja e vrasjeve masive në Benghazi. Dhe kështu me radhë.
Nganjëherë ndërhyrja mund të shpëtojë jetë njerëzish. Por luftërat nganjëherë sjellin më shumë luftëra, ose luftëra më të gjata. Ndërhyrja ushtarake mund të shkaktojë më shumë dhunë, dhe më shumë vdekje civilësh. Kjo është më se e njëmendtë në luftërat civile, ku palët nuk mund të ndahen lehtë në viktima dhe agresorë, të mirë dhe djallëzorë.
Natyrisht, bota bëhet më e thjeshtë nëse zgjedhim të shohim bardh e zi. Dhe gjykimi i Mladiqit, pa dyshim, do të trimërojë këtë perceptim. Ai do të gjykohet për gjenocid, sepse Tribunali i Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosën se serbët e Bosnjës ishin gjenocidalë. Qëkur mbështetësi i tij, Radislav Kërstiq, i cili tashmë është gjykuar për bashkëfajësi në gjenocidin e Srebrenicës, presupozojmë se edhe Ratko Mladiqi do ta marrë të njëjtin dënim.
Nuk ka pse ta na vijë keq për Mladiqin. Nuk ka fije dyshimi se ai është fajtor për krime serioze lufte. Dhe një gjykim, sado i pakënaqshëm, është në shumë raste i preferuar për t’iu dedikuar një vrasje. Por gjykimi i tij për gjenocid, ani pse do të jetë e vështirë të dëshmohet se ai ndonjëherë kishte për qëllim të asgjësonte myslimanët e Bosnjës si një grup, vetëm pse ishin myslimanë, vetëm sa do ta mjegullojë kuptimin e amullt të definicionit.
Mladiqi ndërmori spastrim etnik, i cili, edhe pse i dënueshëm, nuk është i njëjtë me gjenocidin. Definicione të paqarta do të trimërojnë më shumë ndërhyrje ushtarake, si pasojë e kësaj edhe më shumë luftëra. Duke iu kthyer shpeshherë fantazmës së Hitlerit, ne hedhim në plan terciar masën e asaj që kishte bërë ai.
Autori është profesor i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut në Kolegjin “Bard”. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë, “Project Syndicate”