Kataneci në Iran te Perspolis?Burime të gazetës “Lajm” kanë pohuar se për ish-seleksionuesin e Maqedonisë është e interesuar skuadra nga Irani, Perspolis, që konsiderohet si skuadra më e fortë në këtë vend islamik

RESHAT IBRAHIMI – Pas largimit nga Maqedonia, trajneri slloven ka shumë mundësi që karrierën ta vazhdojë në Iran. Burime të gazetës “Lajm” kanë pohuar se për ish-seleksionuesin e Maqedonisë është e interesuar skuadra nga Irani, Perspolis, që konsiderohet si skuadra më e fortë në këtë vend islamik. “Kataneci ka gjasa që të angazhohet në ekipin e Perspolisit nga Teherani.
Bëhet fjalë për një skuadër shumë të fortë, që ka emër në futbollin iranian dhe gjithmonë lufton për titull. Aktualisht është në vendin e pestë renditjes tabelore”, pohon i njëjti burim, i cili njofton se te skuadra e Perspolisit aktivizohet ish-sulmuesi i Bayernit gjerman, Ali Karimi.
Të kujtojmë se Sreçko Katanec më 17 shkurt 2006 u emërua selektor i reprezentacionit të Maqedonisë, ku firmosi kontratë dy vjeçare.
Pas një sërë rezultatesh të përziera në fushatën kualifikuese për Kupën Botërore 2010, duke përfshirë edhe një fitore 1-0 kundër Skocisë dhe një humbje 4-0 në Holandë, ai dha dorëheqjen nga posti, më 6 prill 2009. Katanec pati një mosmarrëveshje me futbollistin më me ndikim në Kombëtaren e Maqedonisë, Goran Pandev dhe kjo ishte arsyeja kryesore për largimin e tij.
E Merkure, 08 Prill 2009