E Diel, 1 Nëntor 2026

Katar, Basha nënshkruan marrëveshje binjakëzimi mes Tiranës e Dohas

KATAR- Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka nënshkruar sot marrëveshjen e binjakëzimit mes Tiranës dhe Dohas. Marrëveshja e nënshkruar sot mes mes Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe Kryetarit të Bashkisë së Dohas Mohammed Ahmed Al-Sayed i hap rrugë bashkëpunimit mes dy qyteteve në fusha si infrastruktura, ndërtimi, shërbimet etj.

Kryetari i Bashkisë se Dohas shprehu kënaqësinë që i jepej mundësia edhe përmes kësaj marrëveshje të ndihmonte homologun shqiptar në projektet e tij ambicioze sikur vlerësoi se kjo është marëveshja e pestë që Doha nënshkruan me qytete të tjera në mbarë botën.

Marrëveshja e binjakëzimit mes Dohas dhe Tiranës parashikon bashkëpunim në fushën e ndërtimit, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe licencave për biznesin, bashkëpunim në fushën e billboard-eve të të gjitha llojeve, zhvillimi i programeve të përbashkëta ndërmjet dy bashkive për shkëmbimin e eksperiencave dhe trajnimeve në fusha e ndërtimit, higjenës, edukimit dhe riciklimit të mbetjeve, bashkëpunim në fushën e privatizimit të shërbimeve që ofrohen nga dy bashkitë, përfitimi nga eksperiencat e dy qyteteve në fushën e gjelbërimit dhe zbukurimit të qytetit, bashkëpunim në fushën rregullatore dhe programeve të edukimit mbi shëndetin. Po kështu do të bashkëpunohet në ngritjen dhe zhvillimin e standardeve të shërbimeve publike, si dhe rritjen e performancës të mekanizmave për të ecur me hapin e zhvillimit dhe progresit në fushën e shërbimeve bashkiake.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim me ministrin e Pushtetit Lokal dhe Planifikimit Urban. Në këtë takim zoti Basha e ka njohur z. Sheikh Abdul Rahman Bin Khalifa Bin Abdul Azziz Al-Thani me projektet e tij për zhvillimin e Tiranës që nga hartimi i Planit Urbanistik , zgjatimi i bulevardit, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të tramit etj. Ministri i Pushtetit Lokal dhe Planifikimit Urban u shpreh i gatshëm të ndihmojë Tiranën në realizimin e këtyre projekteve duke ofruar asistencën dhe eksperiencën e Katarit, vend i cili po zbaton sot metodat më të avancuara të projektimit dhe ndërtimit. Kryebashkiaku Basha tha se Tirana është e hapur dhe mirëpret investitorët e Katarit të shtrijnë aktivitetet e tyre në Tiranë.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›