E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohen 8 familjet rome nga zyrat e Avokatit të Popullit

TIRANË- Ndizet një dritë shpresë për 8 familjet rome, të cilët prej 12 ditësh ishin strehuar në zyrat e Avokatit të Popullit.

Largimi i tyre, pas 12 ditësh nga institucioni i Avokati të Popullit është bërë nën kujdesin e shoqatës “Romani Baxt Albania” për tu strehuar në një godinë në zonën e Kinostudios. Kjo godinë, do jetë streha e re në këto ditë të ftohta për familjet rome, të cilët ishin ngujuar që prej 1 shkurti në institucionin e Avokatit të Popullit.

8 familjet e pastreha do të qëndrojnë në mjediset e vëna në dispozicion nga kjo shoqatë deri në përfundimin e punimeve në ambjentin e paracaktuar për ta nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, ambjente të cilat sipas kësaj ministrie, do të jenë gati pas një muaji.

Avokati i Popullit apelon institucionet për vëmendje ndaj problematikës së mprehtë të këtij komuniteti dhe do njohë në vijimësi publikun me rekomandimet përkatëse. Avokati i Popullit shpreh angazhimin maksimal për ngritjen e Task Forcës së përbashkët me Bashkinë e Tiranës për regjistrimin e plotë të këtij komuniteti.

Më 30 janar, Avokati i Popullit, Igli Totozani vizitoi familjet rome të cilat u dëbuan me dhunë 10 muaj më parë nga kasollet tek ish-Stacioni i Trenit. Përfaqësues të komunitetit kërkuan nga Totozani mbështetje, pasi afati që u vendosi pronari i tokës ku janë vendosur cadrat për largim do të ishte, data 1 Shkurt.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›