E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton rregullat e reja për prokurimin publik elektronik

Këshilli i Ministrave përcakton procedurën elektronike të prokurimeve

Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme rregullat e reja të prokurimit publik elektronik. Drafti i miratuar dje nga qeveria, që së shpejti do të dërgohet për shqyrtim në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, përcakton procedurën elektronike të prokurimeve. Në draft jepen me detaje mënyra e botimit nga Agjencia e Prokurimit Publik të njoftimeve, shqyrtimi i ofertave, propozimet, negocimet, si dhe shpalljen e fituesit online. Sipas projektit, autoriteti kontraktor dërgon në Agjencisë e Prokurimit Publik për botim në Buletinin elektronik të Njoftimeve Publike dhe publikim në faqen e internetit të çdo njoftimi për procedurën e hapur, të kufizuar, me negocim me shpallje paraprake të njoftimit. Njoftimi do të dërgohet në formë elektronike. Madje në draft është parashikuar që një përmbledhje e njoftimit të kontratës për kufirin e lartë monetar do të botohet edhe në të paktën një gazetë ndërkombëtare me shpërndarje të gjerë në Europë.
Procedura
Në projekt parashikohet që para se të prokurohet një marrëveshje, personi i interesuar duhet më parë të plotësojë formularin e deklarimit të konfliktit të interesit, i cili gjithashtu gjendet online. Po kështu, online gjendet edhe formulari i ofertës që i bashkëlidhet një liste të hollësishme çmimesh, që përbëjnë çmimin e plotë. Më tej në draft parashikohet që ofertuesit ose kandidatët e kualifikuar duhet të paraqesin sigurimin e ofertës në vlerën 2% të vlerës limit, të përcaktuar në dokumentet e tenderit. Në dokumentet e tenderit duhet të parashikohet një periudhë vlefshmërie, bazuar në kohëzgjatjen e mundshme të procedurës.
Kontratat sektoriale
Projekti i qeverisë përcakton në mënyrë të detajuar mënyrën e prokurimit të kontratave sektoriale. Autoritetet kontraktore që kryejnë veprimtari në sektorët e shërbimit ujor, energjetik, transportit dhe të atij postar do të zbatojnë dispozitat e këtij kreu dhe të rregullave të përgjithshme për prokurimin publik, pavarësisht nëse ato operojnë në bazë të një të drejte ekskluzive apo të veçantë. Këtyre rregullave mund t’u nënshtrohen edhe entet private. “Kontratat sektorale” në bazë të këtij ligji janë kontrata publike, të lidhura nga autoritetet kontraktore për qëllime të kryerjes së secilës prej veprimtarive të mbuluara nga sektorët e shërbimit ujor, energjetik, transportit dhe atij postar.
Shërbimi energjetik
Sektori i shërbimit energjetik mbulon ofrimin ose përdorimin e rrjeteve fikse që kanë për qëllim t’i ofrojnë publikut shërbime në lidhje me prodhimin, transportin ose shpërndarjen e energjisë elektrike, të gazit apo të nxehtësisë, ose furnizimin me energji elektrike, gaz apo nxehtësi ndaj këtyre rrjeteve. Përbën përjashtim dhënia e kontratave sektoriale për furnizimin me energji elektrike, nxehtësi ose karburante për përdorim për prodhimin e energjisë. Kontrata të tilla nuk ka nevojë të prokurohen. Entet private mbulohen nga rregullat vetëm nëse ato operojnë në sektorin e energjisë pas dhënies së një të drejte të veçantë ose ekskluzive.
Shfrytëzimi i naftës
Veprimtaritë që përfshijnë shfrytëzimin e një zone gjeografike për qëllime eksplorimi, me mundësinë për të nxjerrë naftë, gaz, qymyr apo karburante të tjera të ngurta, u nënshtrohen rregullave për kontratat sektoriale. Nëse entet private operojnë në atë zonë, ato përfshihen vetëm nëse atyre u është dhënë një e drejtë e veçantë ose ekskluzive.
Portet dhe aeroportet
Veprimtaritë që përfshijnë shfrytëzimin e zonave gjeografike me qëllim ofrimin e aeroporteve dhe të porteve detare ose tokësore, ose të strukturave të tjera të terminaleve për transportuesit ajrorë, detarë apo të ujërave tokësore, u nënshtrohen rregullave të sektorëve të shërbimeve publike. Nëse entet private janë pronarë dhe operojnë në këtë zonë, ato përfshihen vetëm nëse u është dhënë një e drejtë e veçantë ose ekskluzive.
Uji i pijshëm
Veprimtaritë ujore u përkasin sektorëve të shërbimeve publike nëse ato kanë të bëjnë me ofrimin ose përdorimin e rrjeteve publike fikse të prodhimit, të transportit a të shpërndarjes së ujit të pijshëm apo furnizimin me ujë të pijshëm ndaj rrjeteve. Kontratat e akorduara për punime inxhinierike hidraulike, vaditje dhe drenazhim u nënshtrohen gjithashtu rregullave të kontratave sektoriale, nëse volumi i ujit të përdorur për furnizim me ujë të pijshëm është më tepër se 20% e volumit të përgjithshëm të ujit. Ndjekja e veprimtarive për largimin ose trajtimin e ujërave të zeza konsiderohet, gjithashtu, pjesë e sektorit ujor, nëse veprimtaria kryhet nga një autoritet kontraktor, i cili operon gjithashtu në sektorin e ujit të pijshëm. Kontratat për furnizimin me ujë të pijshëm janë të përjashtuara dhe mund të prokurohen pa konkurrim.
Transporti publik
Ofrimi dhe operimi i rrjeteve të synuara për ofrimin e një shërbimi ndaj publikut në fushën e transportit me hekurudhë, sistemeve automatike, tramvajeve, autobusëve elektrikë, shërbimeve me autobus ose teleferik u nënshtrohen rregullave të shërbimeve publike. Një rrjet konsiderohet se ekziston atëherë kur shërbimi ofrohet sipas të njëjtave kushte të vendosura nga një autoritet kompetent. Kushtet përfshijnë itineraret që do të shërbehen, kapacitetet që do të bëhen të disponueshme ose shpeshtësinë e shërbimit.
Sektori i transportit publik nuk mbulon transportimin e mallrave, meqenëse këto transporte nuk u nënshtrohen kushteve të funksionimit të parashtruara nga një autoritet kompetent. Autoriteti kontraktor që operon në transportin e mallrave, mbulohet në të kundërt nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik. Enteve private që operojnë në transportin e mallrave nuk u duhet të ndjekin ndonjë prej rregullave të prokurimit publik.
Këto rregulla nuk janë të zbatueshme nëse shërbime të rregullta transporti mund të ofrohen prej agjencive të tjera të transportit në të njëjtën zonë gjeografike dhe në të njëjtat kushte. Sektori i transportit nuk përfshin edhe transportin publik që nuk është i mbuluar nga disa kushte funksionimi të caktuara, si transporti me autobusë privatë nga njëri qytet në tjetrin apo transportet private ndërkombëtare me autobus.
Shërbimet postare
“Shërbime postare” quhen ato shërbime që kanë të bëjnë me zhdoganimin, klasifikimin, përcaktimin e itinerareve dhe dorëzimin e artikujve postarë. Kur Autoriteti kontraktor ofron shërbime postare, edhe shërbime të tjera që kanë lidhje me to janë të mbuluara nga rregullat për prokurimin e kontratave sektoriale. Nëse një enti privat i nevojitet një e drejtë e veçantë ose ekskluzive për të operuar një shërbim postar, ai është gjithashtu i mbuluar nga këto rregulla.

Si prokurohet marrëveshja kuadër dhe ndryshimi me marrëveshjet e tjera

Projektligji i miratuar dje nga qeveria parashikon rregulla të rejat për prokurimin e marrëveshjeve kuadër. Në bazë të këtij ligji marrëveshja kuadër mund të lidhet ndërmjet disa autoriteteve kontraktore dhe disa operatorëve ekonomikë. Një marrëveshje kuadër mund të lidhet ndërmjet disa autoriteteve kontraktore dhe një operatori ekonomik ose ndërmjet një autoriteti kontraktor dhe disa operatorëve ekonomikë. Të gjithë operatorët ekonomikë, që janë pjesë e marrëveshjes, duhet të listohen në marrëveshje.
Sipas draftit të qeverisë nuk është e lejueshme të përdorin një marrëveshje kuadër autoritetet kontraktore, të cilat nuk janë të listuara. Një marrëveshje kuadër, ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara, konsiderohet një kontratë e përfunduar. Ndryshimi ndërmjet një marrëveshjeje kuadër dhe kontratave të tjera që lidhen sipas procedurave të prokurimit, të parashikuara në ligjin për prokurimin publik, është se sasia aktuale e mallrave, shërbimeve ose e punëve që do të prokurohen nuk është e përcaktuar në një marrëveshje kuadër. Për këtë arsye, këto lloj marrëveshjesh mund të përdoren kur autoritetet kontraktore e dinë me siguri objektin që do të prokurojnë, por nuk dinë sasinë që do të prokurojnë. Marrëveshja kuadër prokurohet sipas këtyre rregullave. Ajo mund të lidhet vetëm pasi autoritetet kontraktore të kenë kryer një procedurë të hapur, të kufizuar ose me negocim me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Në kontratat sektoriale, autoritetet kontraktore mund të përdorin, gjithashtu, procedurën me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit. Operatorët ekonomikë përzgjidhen duke zbatuar kriteret e përcaktimit të ofertës fituese, sipas përcaktimeve të nenit 55, të ligjit për prokurimin publik. Kontratat e bazuara në marrëveshjen kuadër janë të ndryshme, në varësi të llojit të marrëveshjes kuadër të përdorur. Njoftimi i fituesit për një marrëveshje kuadër, duhet të publikohet. Autoritetet kontraktore nuk duhet të publikojnë fituesin për një kontratë bazuar në marrëveshjen kuadër. Kohëzgjatja e një marrëveshjeje kuadër nuk mund të jetë më shumë se katër vjet.

Sanksionet administrative dhe masat disiplinore në rast të shkeljes së ligjit

Mosrespektimi i rregullave të prokurimit, në përputhje me dispozitat dhe ligjin për prokurimin publik, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, të përcaktuar përkatësisht:

Autoritetin kontraktor, që nuk përmbush detyrimin për të mbajtur procesverbale dhe dokumentacion të plotë për procedurat e kryera në përcaktimin e fituesit të kontratës gjobitet nga 50 000 deri në 100 000 lekë;

Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin e krijimit të një regjistri për të gjitha procesverbalet për dokumentet e tenderit dhe çdo dokument tjetër, që lidhet me procedurat e përcaktimit të fituesit, siç është përcaktuar në pikën 3, të nenit 12, të ligjit për prokurimin publik gjobitet nga 30 000 deri në 50 000 lekë;

Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin e dorëzimit të raporteve të veprimtarisë së tij të prokurimit, sipas afatit të përcaktuar në pikën 1, të nenit 12, të ligjit për prokurimin publik, gjobitet nga 15 000 deri 30 000 lekë;

Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin për formën e komunikimit, për shkëmbimin dhe ruajtjen e informacionit, të përcaktuar në nenet 21, pika 3, e 22, të ligjit për prokurimin publik, gjobitet nga 50 000 deri në 100 000 lekë;

Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin e parashikuar në nenin 23, të ligjit për prokurimin publik që parashikon specifikimet teknike, që përcaktojnë karakteristikat e mallrave, punëve dhe shërbimeve që do të prokurohen, duke krijuar kushte për konkurrim të paanshëm e të hapur ndërmjet të gjithë kandidatëve e ofertuesve, gjobitet nga 30 000 deri në 50 000 lekë;

Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin e përcaktuar në nenin 25, të ligjit për prokurimin publik që parashikon detyrimin për të botuar kontratat e prokurimit dhe dhënien e informacionit kandidatëve dhe ofertuesve, gjobitet nga 50 000 deri në 80 000 lekë;

Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin e përcaktuar në nenin 38, të ligjit për prokurimin publik që parashikon kryerjen e procedurave të prokurimit për kontratat publike me anë të prokurimit të hapur, gjobitet nga 50 000 deri në 100 000 lekë;

Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin e përcaktuar në nenin 42 të ligjin për prokurimin publik që parashikon dhënien e sqarimeve për dokumentet e tenderit të bërë nga çdo operator ekonomik brenda afatit të caktuar, gjobitet nga 50 000 deri në 100 000 lekë;

Personat, që përpiqen të ndikojnë në vendimmarrjen e Komisionit të Prokurimit Publik, në kundërshtim me nenin 19/7, të LPP-së, gjobitet nga 50 000 deri 100 000 lekë.

Refuzimi i nëpunësit civil, i funksionarit ose i autoritetit publik për të bashkëpunuar me Komisionin e Prokurimit Publik, Agjencinë e Prokurimit Publik dhe Avokatin e Prokurimeve përbën shkak që këto institucione t’i kërkojnë Agjencisë së Prokurimeve Publike propozimin e masave disiplinore tek autoritetet kontraktore përgjegjëse.

Në çdo rast tjetër të shkeljes së dispozitave të ligjin për prokurimin publik që nuk është përmendur më sipër, kërkohet dhënia e masave disiplinore ndaj personave përgjegjës. Në dhënien e masës administrative apo disiplinore, duhet të mbahen parasysh rrethanat, pasojat dhe roli i zyrtarit në shkelje dhe, në çdo rast, zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Administrative. Sanksionet administrative dhe masat disiplinore nuk përjashtojnë përgjegjësinë penale të personit përgjegjës për shkeljet.

27 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›