E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katari, i gatshëm për investime në Shqipëri

Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Katar, Kryeministri Berisha u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri i Katarit Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani.Kryeministri i Katarit u shpreh se ishte shumë i lumtur që takohej me Kryeministrin e Shqipërisë Berisha dhe vuri në dukje se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer. Vendet tona, tha ai, janë vende të vogla dhe mundësitë e bashkëpunimit janë të mëdha. Kryeministri Berisha u shpreh se ishte një nder që takohej me Kryeministrin e Katarit, një vend me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera. Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin e Katarit me ecurinë e reformave në vend si, vendosjen e barrës fiskale më të ulët në Europë, vendosjen e sistemit të prokurimeve elektronike, taksat on-line, investimet e mëdha të qeverisë shqiptare në infrastrukturë duke përcaktuar 32 për qind të buxhetit të vitit të kaluar në këtë funksion. Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi përpjekjet e qeverisë shqiptare për të krijuar një klimë sa më tërheqëse për investimet vendase e të huaja. Biznesmenët e Katarit, vijoi Kryeministri Berisha, janë të mirëpritur të investojnë në Shqipëri dhe kanë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, në mënyrë që investimi i tyre të jetë një histori suksesi. Unë do të jem i lumtur, nënvizoi Kryeministri, që të shoh kompanitë nga Katari të investojnë në vendin tim, për të zhvilluar potencialet e mëdha në fusha të ndryshme, si minerale, turizëm, pasuritë hidrike, në infrastrukturë, në fushën e ndërtimit, etj.

Në takim, të dy personalitetet e larta diskutuan për dy aspekte shumë kryesore për sa i përket krijimit të një baze për investitorët; nënshkrimi i marrëveshjes për lehtësimin e regjimit të vizave dhe nënshkrimi i marrëveshjes për taksimin e dyfishtë. Ata ndanë të njëjtin mendim se këto dy marrëveshje i hapin rrugën investimeve të Katarit në Shqipëri. Të dy homologët u ndalën veçanërisht në projektin e madh të rigazifikatorit dhe projekte të shfrytëzimit të gazit të lëngshëm dhe depozitave të gazit në Shqipëri. Në këtë aspekt, Kryeministri i Katarit tha se do të nxiste dhe organizonte takime konkrete për sa i përket këtij projekti madhor dhe projekteve të tjera të shfrytëzimit të gazit në Shqipëri. Kryeministri i Katarit  Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani vlerësoi arritjet e qeverisë së Kryeministrit Berisha. Dua t’ju përgëzoj personalisht, tha Kryeministri i Katarit, sepse jam në dijeni të angazhimit që keni ndërmarrë ju dhe qeveria që ju drejtoni për investimin e madh të buxhetit tuaj në infrastrukturë, pasi infrastruktura është baza më e mirë për çdo zhvillim tjetër.

Për sa i përket çështjes së turizmit, ai u shpreh se e gëzonte fakti që Shqipëria tashmë ishte një vend i sigurt, ku turistët mund ta vizitojnë këtë vend të qetë. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha e informoi homologun e tij se lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar ka dhënë rezultatet e saj, duke bërë të mundur që vitin që kaloi 2 700 000 turistë të vizitojnë Shqipërinë pa asnjë incident. Nga ana e tij, Kryeministri i Katarit u shpreh se do të përkrahte me të gjitha mundësitë e tij investitorët e Katarit për të investuar në fushën e turizmit në Shqipëri. Kryeministri i Katarit Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani tha se të dy palët duhet të forcojnë lidhjet edhe më tej. Ai vlerësoi vizitën e Kryeministrit Berisha në Katar dhe u shpreh se së shpejti edhe ai do të vizitonte Shqipërinë, në kohën më të afërt që i mundësonte axhenda e tij. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha tha se do të shihet mundësia e hapjes së një përfaqësie diplomatike mes dy vendeve, për të lehtësuar shërbimet dhe bashkëpunimin dypalësh.

Deklaratat pas takimit

Nënshkruhet Marrëveshja për Bashkëpunimin Ekonomik, Tregtar dhe Teknik

Pas takimit mes tyre, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Katarit Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani asistuan në nënshkrimin e Marrëveshjes dypalëshe për Bashkëpunimin Ekonomik, Tregtar dhe Teknik. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave Ridvan Bode dhe homologu i tij i Katarit. Më pas, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Al Thani dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë konferencës për shtyp, Kryeministri Al Thani, në përgjigje të interesimit të gazetarëve vendas mbi fushat me interes për investime në Shqipëri, u shpreh se investime të mëdha kanë filluar në Shqipëri në fushën e turizmit, ku një kompani e fuqishme e Katarit po bën një investim gjigand në një zonë turistike dhe po ecën mjaft mirë me këtë projekt. Kryeministri i Katarit u shpreh se ka interes, gjithashtu, edhe në shumë fusha të tjera si në energji, në minerale, në plantacionet frutore dhe në projektin e ullirit, një projekt që ka tërhequr në mënyrë të veçantë vëmendjen, si dhe projekti madhor i rigazifikatorit, një projekt rajonal me interes të përbashkët. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve i shërben edhe nënshkrimi i Marrëveshjes shumë të rëndësishme mbi Bashkëpunimin Ekonomik, Tregtar dhe Teknik. Ne, - vijoi Kryeministri - vendosëm synime për disa marrëveshje të tjera që do të nënshkruhen në Tiranë dhe të krijojmë të gjithë infrastrukturën ligjore për bashkëpunimin midis dy vendeve tona.

Duke inkurajuar investitorët e Katarit për të investuar në Shqipëri, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që kompanitë e Katarit që punojnë në fushën e turizmit në Shqipëri po progresojnë shumë shpejtë dhe kompani të tjera janë të mirëpritura për të investuar në turizëm, energji dhe fusha të tjera. “Ne jemi shumë të fokusuar për të inkurajuar investitorët e Katarit për të investuar në Shqipëri,” u shpreh Kryeministri. Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëronte morën pjesë, gjithashtu, në drekën e shtruar nga Kryeministri i Katarit, gjatë së cilës biseda u përqendrua sërish mbi forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët dhe rrugët drejt këtij qëllimi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›