Ora e Tokës dhe Bojaxhiu me Rulin
Dje, tek e përditshmja elektronike “Mjedisi Sot” ishin dy lajme të njëpasnjëshme.
Lajmi i parë: “Më 28 mars 2009, në orën 20.30-21.30 do të zhvillohet aktiviteti “Earth Hour”. Earth Hour - Ora e Tokës institucionalisht është organizim i WWF (Fondi Botëror për Natyrën), organizatës më të madhe mjedisore të botës . Ajo është një iniciativë që fton individët, institucionet apo bizneset kudo në botë që të bëjnë një gjest të vogël në këtë datë dhe orë të caktuar: të fikin dritat dhe aparaturat e tepërta për 1 orë, duke ia dedikuar këtë Tokës, planetit tonë që po vuan ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike.....
Ndryshimet klimatike që rrezikojnë mbijetesën e mbarë njerëzimit i detyrohen shkarkimit nga njeriu në atmosferën e Planetit të “gazrave serë” që e mbajnë nxehtësinë e diellit pranë sipërfaqes së Tokës. Dyoksidi i karbonit (CO2) është gazi kryesor serë, dhe ai lidhet direkt me aktivitetin e njeriut: 70 milionë tonë CO2 çdo ditë shkarkohen aktualisht në nivel botëror. Plot 60% e kësaj sasie e ka origjinën e drejtpërdrejtë nga prodhimi i energjisë. Kështu që, duke ulur kërkesën për energji, ne ulim direkt sasinë e këtij gazi serë në atmosfere: kush kursen 1 kwh (kilovator) energji, indirekt ka shmangur emetimin e 620 gr CO2 në atmosferë. ....
Në ‘Ora e Tokës 2009’ synohet një pjesëmarrje prej 1 miliard banorësh të planetit në 1000 qytete, ku i bëhet thirrje edhe qyteteve të Shqipërisë, Tiranës, Elbasanit, Vlorës, Durrësit, Shkodrës, të bashkohen në këtë iniciativë.
Ky lajm vjen nga “Rrjeti Shqiptar për Orën e Tokës”, një iniciativë e kryesuar nga Korporata Energjitike Shqiptare. Shkëlqyeshëm, kemi shumë nevojë për të tilla lajme dhe iniciativa.
Lajmi i dytë (në vijim): “Nesër, më 10 mars, (pra dje), në Tiranë do të takohen ministri italian i Zhvillimit Ekonomik, Claudio Scajola dhe ministri shqiptar i Ekonomisë, Genc Ruli, (u takuan) lidhur me projektin më të rëndësishëm të energjisë së integruar, që po implementohet nga kompania ENEL në bregun e Adriatikut. Fjala është për një projekt, që i jep siguri sistemit energjetik shqiptar dhe që forcon marrëdhëniet midis dy vendeve. Ai parashikon ndërtimin e centralit me fuqi 800 megavat me qymyr të pastër në rajonin e Durrësit dhe një linjë interkoneksioni me Italinë prej 500 megavatesh.”
Tashmë të gjithë e dinë se është fjala për TEC-in në tokat e Fazlliçit, që në fakt ka një kapacitet 1600 MW, por së fundmi për manovër po i mëshohet vetëm baterisë së parë prej 800 MW.
Komenti: A nuk mund të ndihesh i fyer nga kjo hipokrizi me përmasa globale? Dhe ja pse. Shqipëria konsumon 6 miliardë kwh në vit. TEC-i i Rulit e Bojaxhiut vetëm në Durrës do prodhojë 12.8 miliardë kwh në vit. Pra, që Shqipëria të arrijë të harxhojë vetëm 1 kwh (d.m.th., i llambë 100 wat për 1 orë) më pak se konsumi vjetor i tanishëm, d.m.th., që të reduktojë me 620 gr emetimin e CO2 në atmosferë në rastin që do ndërtohet TEC-i i Fazlliçit do të duhet që e gjithë Shqipëria të rrijë 1 vit pa energji elektrike.
Dhe, megjithatë autori i këtij shkrimi do ta mbështesë këtë ngjyrim super hipokrit të Bojaxhiut me Rulin.