E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjalë dhe kuptime

Nga Pantelis Boukalas, “Kathimerini”

Arti i retorikës nuk është cilësi gjenetikisht e trashëgueshme nga brezi në brez dhe, edhe në rast se nga brezi i parë tek i dyti përcillet diçka prej saj, padyshim që brezi i tretë nuk mund të mbështetet me siguri te kjo trashëgimi dhe i duhet të hyjë në arenën e fjalëve i paarmatosur, sidomos në rastet kur këto fjalë janë në gjendje të elektrizojnë turmat. Kreu i opozitës PASOK, Jorgo Papandreu, nuk ka qenë kurrë nga ata oratorë që elektrizojnë turmat dhe është e sigurt që frika e krahasimit me babanë dhe gjyshin e tij elokuent duhet të ketë qenë një pengesë e madhe.

Defekti i oratorisë së Papandreut nuk janë gabimet gramatikore apo përdorimi i fjalëve të gabuara ndonjëherë, por ndjenja që ai përcjell kur flet në publik, që ai nuk i beson fjalët e tij; ai nuk është i prekur nga mesazhi që ai përcjell, nuk e shikon “vizionin” që ai përpiqet ta shfaqë me terma të mërzitshëm. Edhe kur shfaqet i inatosur, ai duket i paprekur nga zemërimi i vet, si të mos ishte i tij, por i diktuar nga drejtori i shfaqjes.

Të gjithë politikanët e dinë - pavarësisht në e pranojnë apo jo - që ata janë pjesë e një spektakli dhe që gara politike u përshtatet rregullave të biznesit të spektakleve. Papandreu e ka të qartë ç’do të thotë të kesh prirjen e një oratorie të plotë dhe aftësinë për të përdredhur fjalë dhe kuptime. Ai e di se fjalët në ADN e tij janë harxhuar e kompromentuar nga paraardhësit e tij. Ai e di se idetë e tij kanë qenë dikur të paraardhësve të tij - dhe të gjithë i njohim rezultatet e tyre.

Kështu që, kur ai shfaqet, siç u shfaq kohët e fundit në Janinë, me deklarata të tilla si “Hiquni mënjanë që të kalojë Greqia”, e kupton se, edhe duke identifikuar veten me atdheun, ai është shumë mbrapa babait të tij. Megjithatë, Greqia nuk është - dhe ne nuk duam të jetë - një çështje familjare (qoftë familja Papandreu, Karamanlis apo Micotaqis), dhe askush nuk ka të drejtë ta paraqesë veten si të barabartë me të, edhe kur përfshihet nga euforia duke folur përpara turmave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›