E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zogby”: E majta fituese e zgjedhjeve

Nga TCH

Nëse zgjedhjet do të bëheshin sot, PS do të merrte 39 për qind të votave, në vendin e dytë do të renditej Partia Demokratike me 34% të votuesve, e ndjekur nga LSI me 5 për qind dhe G99 me 2 për qind.

Partitë e tjera PDK, PBDNJ, PR, PSD dhe PAA do të merrnin secila nga 1% të votuesve. Sipas përfaqësuesit te “Zogby International”, Sam Rogers, 12% e votuesve shprehen të pavendosur, ndërsa 4% nuk e tregojnë votën e tyre.

Ndërkohë, shton Rogers, vihet re një rritje e mbështetjes së partive kryesore, 2% për PS, mbi 1% për PD, si dhe një rritje modeste për G99.

Për sa i përket vlerësimit të partive, 61% e të pyeturve kanë një opinion pozitiv për PS, një rënie nga 64% që ishte në janar, ndërkohë që vlerësimi negativ për këtë parti është rritur në 40%. Për sa i takon PD, 56% e të pyeturve japin një vlerësim pozitiv, kundrejt 44% që japin një vlerësim negativ.

Sondazhi ka kryer gjithashtu vlerësimin e liderëve, ku spikat mbështetja ndaj atij të opozitës, Edi Rama, me 44% të shqiptareve që e shohin pozitivisht punën e tij, kundrejt 36% që vlerësojnë po kështu performancën e kryeministrit.

Për sa i takon drejtimit që po merr Shqipëria, 41% e të pyeturve shprehen se po shkon në rrugën e duhur, ndërsa 45% në rrugën e gabuar. Ky vlerësim ndahet te votuesit e PS, 64% e të cilëve besojnë se vendi po shkon në rrugën e gabuar dhe pjesa tjetër në të duhurën, si dhe te votuesit e PD, nga të cilët vetëm 28% vlerësojnë se vendi po shkon në rrugën e gabuar.

Sondazhi bën gjithashtu të ditur se çështja më delikate për 67% të shqiptarëve është papunësia, e ndjekur nga ekonomia me 64%, varfëria me 43%, korrupsioni në qeveri me 31% dhe inflacioni me 24%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›