Brukseli, i prerë: Kemi hallin e zgjedhjeve të lira, më pas aplikimi*
“Shqipëria ka marrë dritën jeshile ‘në princip’ nga presidenca çeke e Bashkimit Evropian për të dorëzuar kërkesën për anëtarësim”, - tha kryeministri i Shqipërisë gjatë një interviste për AFP, përpara se të shtonte se data për të bërë një gjë të tillë nuk është përcaktuar.
“Kemi rënë dakord për të plotësuar kërkesën”, - thotë ai, duke theksuar se 96% e shqiptarëve mbështesin ofertën e vendit për në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian ka identifikuar zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, sipas procedurave normale, si një kusht për kandidaturën e saj, në një kohë kur vendi do të mbajë zgjedhjet më 28 qershor.
Ndërkohë, FMN ka paralajmëruar së fundi Tiranën që të jetë e kujdesshme me shpenzimet përpara zgjedhjeve ose rrezikon të minojë stabilitetin makroekonomik të vendit.
Shqipëria ka një histori negative në zgjedhje, të cilat shpesh karakterizohen nga manipulimet dhe incidentet. Një Kod i ri Elektoral, që synon parandalimin e manipulimeve, është miratuar së fundi në parlament.
“Gjithçka është për zgjedhjet”
Vendimi i Berishës për të plotësuar formularin e anëtarësimit në BE shihet nga Brukseli si një manovër elektorale
Klasa politike shqiptare gjithashtu shpreson të përfitojë nga hapja e dyerve të NATO për vendin ish-komunist gjatë samitit të 3-4 prillit. Kroacia pritet të anëtarësohet në NATO në të njëjtën kohë.
Diplomatët në fakt thonë se “gjithçka ka lidhje me zgjedhjet” dhe me të tjerë faktorë, përfshi këtu zgjedhjet evropiane në qershor në veçanti, por dhe zgjedhjet kombëtare në Gjermani, në shtator. Për më tepër, një referendum i dytë për Traktatin e Lisbonës duket se do të mbahet në Irlandë në tetor.
“Me mbështetjen publike në rënie në Evropën Perëndimore për zgjerimin e mëtejshëm të BE, partitë politike kryesore nuk duan t’i japin më shumë armë në duar populistëve që të mbjellin frikën se një vend i varfër si Shqipëria do t’u shtohej problemeve të bllokut”, - thotë një diplomat.
Sfond
Aplikimet për anëtarësimin në BE zakonisht plotësohen në koordinim mes vendit aplikant dhe Komisionit Evropian. Vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor që nuk kanë plotësuar formularin e anëtarësimit janë Shqipëria, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Kosova, e cila deklaroi pavarësinë në shkurt 2008, është një rast i veçantë, për shkak se nuk është njohur nga të gjitha vendet anëtare të BE.
Dhjetorin e kaluar, Mali i Zi, në mënyrë surprizë plotësoi aplikimin formal për anëtarësimin në BE gjatë ditëve të fundit të presidencës franceze, pavarësisht faktit se presidenca çeke që do pasonte është më shumë mbështetëse e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit. Lëvizja e Malit të Zi pritej të inkurajonte Serbinë dhe Shqipërinë për të plotësuar aplikimet për në BE.
Pavarësisht se konsiderohet vendi me kapacitetin më të madh administrativ mes aplikantëve të Ballkanit Perëndimor, Serbia është një rast special, për shkak dhe të kushteve të imponuara nga Holanda, e cila kërkon nga ky vend që të bëjë më shumë për të bashkëpunuar me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë. Me fjalë të tjera, Haga kërkon që të arrestohet Ratko Mlladiç dhe të sillet para drejtësisë.
Komisioni e këshilloi së fundi Serbinë që të mos nxitojë më aplikimin formal për në BE. Por burime thonë se Beogradi do të paraqesë së shpejti aplikimin, duke marrë si shkas dhe qëndrimin pro-zgjerimit të presidencës çeke.
* Titulli është redaksional