E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katari, i gatshëm për investime në Shqipëri

-      Kryeministri i Katarit shpreh mbështetjen e qeverisë së tij për projektin e  rigazifikatorit.

Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Katar, Kryeministri Berisha u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri i Katarit Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani.

Kryeministri i Katarit u shpreh se ishte shumë i lumtur që takohej me Kryeministrin e Shqipërisë Berisha dhe vuri në dukje se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer. Vendet tona, tha ai, janë vende të vogla dhe mundësitë e bashkëpunimit janë të mëdha.

Kryeministri Berisha u shpreh se ishte një nder që takohej me Kryeministrin e Katarit, një vend me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera. Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin e Katarit me ecurinë e reformave në vend si, vendosjen e barrës fiskale më të ulët në Europë, vendosjen e sistemit të prokurimeve elektronike, taksat on-line, investimet e mëdha të qeverisë shqiptare në infrastrukturë duke përcaktuar 32 për qind të buxhetit të vitit të kaluar në këtë funksion. Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi përpjekjet e qeverisë shqiptare për të krijuar një klimë sa më tërheqëse për investimet vendase e të huaja. Biznesmenët e Katarit, vijoi Kryeministri Berisha, janë të mirëpritur të investojnë në Shqipëri dhe kanë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, në mënyrë që investimi i tyre të jetë një histori suksesi. Unë do të jem i lumtur, nënvizoi Kryeministri, që të shoh kompanitë nga Katari të investojnë në vendin tim, për të zhvilluar potencialet e mëdha në fusha të ndryshme, si minerale, turizëm, pasuritë hidrike, në infrastrukturë, në fushën e ndërtimit, etj.

Në takim, të dy personalitetet e larta diskutuan për dy aspekte shumë kryesore për sa i përket krijimit të një baze për investitorët; nënshkrimi i marrëveshjes për lehtësimin e regjimit të vizave dhe nënshkrimi i marrëveshjes për taksimin e dyfishtë. Ata ndanë të njëjtin mendim se këto dy marrëveshje i hapin rrugën investimeve të Katarit në Shqipëri. 

Të dy homologët u ndalën veçanërisht në projektin e madh të rigazifikatorit dhe projekte të shfrytëzimit të gazit të lëngshëm dhe depozitave të gazit në Shqipëri. Në këtë aspekt, Kryeministri i Katarit tha se do të nxiste dhe organizonte takime konkrete për sa i përket këtij projekti madhor dhe projekteve të tjera të shfrytëzimit të gazit në Shqipëri.

Kryeministri i Katarit  Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani vlerësoi arritjet e qeverisë së Kryeministrit Berisha. Dua t’ju përgëzoj personalisht, tha Kryeministri i Katarit, sepse jam në dijeni të angazhimit që keni ndërmarrë ju dhe qeveria që ju drejtoni për investimin e madh të buxhetit tuaj në infrastrukturë, pasi infrastruktura është baza më e mirë për çdo zhvillim tjetër.

Për sa i përket çështjes së turizmit, ai u shpreh se e gëzonte fakti që Shqipëria tashmë ishte një vend i sigurt, ku turistët mund ta vizitojnë këtë vend të qetë. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha e informoi homologun e tij se lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar ka dhënë rezultatet e saj, duke bërë të mundur që vitin që kaloi 2 700 000 turistë të vizitojnë Shqipërinë pa asnjë incident. Nga ana e tij, Kryeministri i Katarit u shpreh se do të përkrahte me të gjitha mundësitë e tij investitorët e Katarit për të investuar në fushën e turizmit në Shqipëri.

Kryeministri i Katarit Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani tha se të dy palët duhet të forcojnë lidhjet edhe më tej. Ai vlerësoi vizitën e Kryeministrit Berisha në Katar dhe u shpreh se së shpejti edhe ai do të vizitonte Shqipërinë, në kohën më të afërt që i mundësonte axhenda e tij.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha tha se do të shihet mundësia e hapjes së një përfaqësie diplomatike mes dy vendeve, për të lehtësuar shërbimet dhe bashkëpunimin dypalësh.


10/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›