Kryetarja e Kuvendit pret në takim delegacionin e Kuvendit të Kosovës.Deputetët e Kosovës: Roli i Kuvendit të Shqipërisë, thelbësor për Kosovën.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në takim anëtarët e Komisionit për Mandatet, Imunitetet dhe Rregulloren e Punës të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Ahmet Isufi.
Shteti i Kosovës, theksuan ata është në fazat e para të ndërtimit dhe funksionimit dhe nuk ndjejmë shtet më të afërt se Shqipëria për të marrë përvojë e për të shkëmbyer idetë shtetformuese.
Roli i Kuvendit të Shqipërisë dhe konktributi juaj si Kryetare e Kuvendit ka qenë dhe mbetet shumë thelbësor për ne, u shprehën ata. Veprimtaria dhe puna juaj reflektohet plotësisht në Kosovë dhe tashmë, një vit pas pavarësisë, shteti ynë ka shumë për të marrë nga ecuria e punës tuaj.
Në Kuvendin e Shqipërisë do të jeni gjithnjë të mirëpritur si në shtëpinë tuaj, tha Kryetarja e Kuvendi, duke shtuar se përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës nuk do tu mungojë asnjëherë mbështetja dhe ndihma për të gjitha çështjet legjislative dhe administrative nga ana e Kuvendit të Shqipërisë
Për të konnkretizuar këtë bashkëpunim dy Kuvendet do të nënshkruajnë edhe një memorandum të përbashkët, një strategji me piketa konkrete për harmonizimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Biseda më tej u ndal edhe në bashkëpunimin më të gjerë dy palësh.
Deputetët nga Kosova vlerësuan se projekte si rruga historike DurrësKukës, afrojnë më shumë kombin tonë, forcojnë bashkëpunimin ekonomik dhe nxisin zhvillimin e të gjithë rajonit.