Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit të Katarit
- Nënshkruhet Marrëveshja për Bashkëpunimin Ekonomik, Tregtar dhe Teknik
Pas takimit mes tyre, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Katarit Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani asistuan në nënshkrimin e Marrëveshjes dypalëshe për Bashkëpunimin Ekonomik, Tregtar dhe Teknik. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave Ridvan Bode dhe homologu i tij i Katarit.
Më pas, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Al Thani dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjatë konferencës për shtyp, Kryeministri Al Thani, në përgjigje të interesimit të gazetarëve vendas mbi fushat me interes për investime në Shqipëri, u shpreh se investime të mëdha kanë filluar në Shqipëri në fushën e turizmit, ku një kompani e fuqishme e Katarit po bën një investim gjigand në një zonë turistike dhe po ecën mjaft mirë me këtë projekt.
Kryeministri i Katarit u shpreh se ka interes, gjithashtu, edhe në shumë fusha të tjera si në energji, në minerale, në plantacionet frutore dhe në projektin e ullirit, një projekt që ka tërhequr në mënyrë të veçantë vëmendjen, si dhe projekti madhor i rigazifikatorit, një projekt rajonal me interes të përbashkët.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve i shërben edhe nënshkrimi i Marrëveshjes shumë të rëndësishme mbi Bashkëpunimin Ekonomik, Tregtar dhe Teknik. Ne, - vijoi Kryeministri - vendosëm synime për disa marrëveshje të tjera që do të nënshkruhen në Tiranë dhe të krijojmë të gjithë infrastrukturën ligjore për bashkëpunimin midis dy vendeve tona.
Duke inkurajuar investitorët e Katarit për të investuar në Shqipëri, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që kompanitë e Katarit që punojnë në fushën e turizmit në Shqipëri po progresojnë shumë shpejtë dhe kompani të tjera janë të mirëpritura për të investuar në turizëm, energji dhe fusha të tjera. “Ne jemi shumë të fokusuar për të inkurajuar investitorët e Katarit për të investuar në Shqipëri,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëronte morën pjesë, gjithashtu, në drekën e shtruar nga Kryeministri i Katarit, gjatë së cilës biseda u përqendrua sërish mbi forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët dhe rrugët drejt këtij qëllimi.
10/03/2009