Katari investon në Greqi
Në prani të kryeministrit grek, Jorgos Papandreu dhe emirit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Than, u nënshkrua marrëveshja për hyrjen e kapitaleve investuese të shtetit arab në kompaninë greke “Ari grek”, që shfrytëzon minierat e arit të Kalkidikisë në Greqinë Verilindore.
Investimi do të arrijë në 1.2 miliardë euro dhe do të hapen të paktën rreth 1.500 vende pune.
Më parë, Qatar Holdings përftoi 10 për qind të aksioneve të një kompanie greke në Europen Goldfields, e cila ka në zotërim 95 për qind të aksioneve të firmës “Ari grek”, që nga ana e saj në verë u licencua prej shtetit grek për nxjerrjen e arit në Kalkidiki.
“Sot vërtetohet në praktikë se sa e rëndësishme është të kompletohen në vendin tonë të gjitha reformat e nevojshme,” deklaroi kryeministri grek Jorgos Papandreu, pas nënshkrimit të marrëveshjes, të cilën e cilësoi si një mesazh “besimi ndaj komunitetit ndërkombëtar për mundësitë investuese”, që ofron vendi i tij.
Marrëveshja arrihet një vit pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik, në shtator të vitit 2010, në Washington nga Papandreu dhe Al Than.
Emiri tha se vendi i tij i vogël “nuk ka agjendë politike” në investimet e tij në Greqi, që drejtohen në fushat e energjisë, pasurive minerale dhe turizmit.