Perry kërkon ushtrinë amerikane në Meksikë
A mund ta fitojë Meksika luftën kundër karteleve të drogës? Dyshimet për këtë po shtohen. Tani me një propozim ka dalë në publik Rick Perry, propozim ky i cili me gjasë do të nxitë debat në fushën e politikës së jashtme.
Perry, një nga kandidatët republikanë për president të SHBA-së, theksoi se dëshiron të dërgojë ushtrinë amerikane në Meksikë.
Gjatë një vizite të tij në shtetin New Hampshire, Perry theksoi se mund të paramendojë dërgimin e ushtrisë amerikane në Meksikë, me qëllim që ajo të përfshihet në luftën kundër karteleve të drogës.
Perry theksoi se ndoshta do të nevojitet dërgimi i ushtrisë amerikane në Meksikë, me qëllim që së bashku me qeverinë meksikane të luftohen kartelet e drogës dhe që të pamundësohet veprimtaria e tyre në SHBA.
Që nga zgjedhja e Felipe Calderonit për president të Meksikës në vitin 2006, si pasojë e luftës së drogës kanë humbur jetën 42 mijë persona.
Calderon ka kërkuar disa herë nga SHBA-ja që të luftojë në mënyrë më efektive konsumin e drogës në territorin e saj.
Deri me tani, qeveria e Meksikës e ka refuzuar mundësinë e ndërhyrjes së SHBA-së në territorin e Meksikës dhe kjo ka të bëjë me historinë e marrëdhënieve mesë dy vendeve, të cilat kanë luftuar mes vete në shekullin e 19-të.