Katari siguron bashkëpunim për projektet e gazit në Shqipëri
Bashkëpunimi në fushën energjetike, ka qenë tema kryesore e takimit të kryeministrit Berisha me Ministrin e Energjisë dhe Industrisë së Katarit Abdullah bin Hamada al-Attiyah. Ministri i Energjisë shprehu gjithashtu interesimin që të studiojnë edhe mënyrat e shfrytëzimit të depozitave natyrore të gazit që ekzistojnë në Shqipëri, si dhe fusha të tjera bashkëpunimi në sektorin e energjisë nëpërmjet QPC.
Një grup ekspertësh teknikë të kompanisë do të vijnë për të diskutuar me grupet e ekspertëve vendas për të konkretizuar idetë e diskutuara. Në takim, ku mori pjesë dhe Shefi Ekzekutiv i Qatari Petroleum Company -QPC, u diskutua lidhur me realizimin e projektit LNG në zonën e Semanit, si projekti më i rëndësishëm në fushën e energjisë për vendin dhe për rajonin, një projekt me vlerë rreth 2,5 miliardë dollarë. Gjatë bisedës, Ministri i Energjisë së Katarit shprehu vlerësimet më të larta për zhvillimet në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht në kontributin e Kryeministrit Berisha në hartimin e politikave në përkrahje të investimeve të huaja dhe në suksesin e reformave e revolucionin fiskal, hapa të cilat kanë bërë që Shqipëria të jetë një histori suksesi për investimet e huaja për shumë kompani të mëdha.