Hiqet taksa doganore prej 2% për importin e energjisë
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje ndryshimet e propozuara në ligjin "Për miratimin e niveleve të tarifës doganore", të cilat parashikojnë heqjen e taksës doganore prej 2 % për importin e energjisë elektrike. Sipas ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, heqja e kësaj takse erdhi në kuadër të traktatit të krijimit të komunitetit të energjisë, ndërmjet Komunitetit Evropian dhe vendeve ballkanike, përfshirë edhe Shqipërinë, i cili përcakton një sërë masash të karakterit ligjor dhe ekonomiko-financiar, të cilat duhet të zbatohen nga shtetet anëtare.
Konkretisht, në këtë traktat përcaktohet se palët do të eliminojnë taksat doganore dhe kufizimet sasiore mbi importin dhe eksportin e energjisë dhe të gjitha masat që kanë efekt të njëjtë. Ky ndalim do të zbatohet edhe për tarifat doganore me natyrë fiskale. Heqja e kësaj takse, sipas ekspertëve të doganave shqiptare, ka efekte financiare që rrjedhin nga pagesa e kësaj takse në buxhetin deficitar të KESH, sh.a- së. Efekti financiar i pritshëm nga reduktimi i kësaj tarife doganore, i llogaritur në bazë të importit të bërë për vitin 2008, në sasi dhe në çmim, parashikohet të jetë rreth 488 milion lekë. Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi në vitin 2006 traktatin e krijimit të komunitetit të energjisë ndërmjet Komunitetit Evropian dhe vendeve ballkanike, i cili pati për bazë procesin e Athinës dhe memorandumet e dala prej tij të viteve 2002-2003. Ky traktat ka për qëllim krijimin e një hapësire të vetme apo të një tregu të përbashkët, fleksibël, rregullues dhe të qëndrueshëm që të gjitha palët të kenë akses në furnizimin me energji elektrike, si dhe krijimin e kushteve lehtësuese për investime në sektorin e energjisë elektrike dhe përballimin e çdo krize të mundshme afatshkurtër apo afatgjatë, lidhur me to.