Banka e Shqipërisë licenson veprimtarinë e bankave të huaja në Shqipëri
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e ditës së djeshme vendosi të miratojë rregulloren Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë.
Një nga risitë që sjell rregullorja është procesi i riorganizimit të bankës, ndarja e bashkimi, i cili trajtohet së fundmi në ligjin Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare dhe rregullorja bën përshtatjen e këtij procesi edhe për bankat që veprojnë në Shqipëri, duke përcaktuar format e ndryshme të riorganizimit të një banke, si dhe kërkesat e dokumentacionin e nevojshëm për tu paraqitur në Bankën e Shqipërisë për shqyrtimin e kërkesës për miratim, për secilin rast në veçanti. Po kështu, rregullorja parashikon kërkesa të reja lidhur me dokumentacionin kryesisht në përshtatje të kërkesave të ligjit Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, Për banka në Republikën e Shqipërisë dhe Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të cilat paraqiten si të dhëna që vërtetojnë natyrën dhe burimet financiare të mjaftueshme për fillimin dhe vazhdimësinë e biznesit, komisioni i vlefshmërisë së licencës sipas kërkesës së ligjit Për bankat në Republikën e Shqipërisë, trajtimi i miratimit të veprimtarisë shtesë dhe rasteve të miratimeve të tjera paraprake sipas kërkesave të ligjit Për bankat në Republikën e Shqipërisë, rastet e detyrimeve për njoftim sipas kërkesave të ligjit Për bankat në Republikën e Shqipërisë. Po ashtu, parashikon kërkesa të tjera që lidhen me biznesplanin duke e synuar këtë si një dokument efektiv për zbatim, të shoqëruar me argumentet e aplikantit për krijimin e bankës, strategjinë për të arritur suksesin, marrjen në konsideratë të kufijve të treguesve prudencialë sipas kërkesave të ligjit Për bankat në Republikën e Shqipërisë dhe akteve të tjera normative.