Fajdet, qeveria fshehu letrat e Lunikut
Debatet në Kuvend, ku PD-ja mbronte indiferencën ndaj piramidave
Rreth dy muaj pas formimit të qeverisë së Pajtimit Kombëtar, partitë politike u rikthehen fajdeve. Diskutimet e sotme i përkasin seancës së ditës së premte, 9 maj 1997 kur, deputetët e të dy krahëve, këmbejnë replika se kush e pati fajin për lejimin e piramidave, kush përfitoi dhe si do t’u ktheheshin paratë kreditorëve shqiptarë. Sërish në skenë del korrespondenca e ish-guvernatorit, Kristaq Luniku, i cili kishte dërguar shumë shkresa në adresë të presidentit Berisha, kryeministrit Meksi dhe ministrit të Financave, Bode. Por, siç e tregojnë edhe diskutimet e mëposhtme, megjithëse shqetësimi ishte bërë publik që në fillim të vitit 1995, qeveria e PD-së nuk ndërhyri, duke u lënë shesh të lirë firmave mashtruese dhe duke u vënë në shërbim bankat, policinë dhe, madje, edhe njerëzit e drejtësisë.
Musa Ulqini - Më në fund, për herë të parë, Parlamenti shqiptar diskuton për një projektligj, i cili më së paku duhej të ishte miratuar një vit më parë, çka do të bënte të mundur që sot, në Shqipëri, humbja e shqiptarëve të mos ishte kaq tragjike: 1.2 miliardë dollarë të vjedhura, shumica dërrmuese e familjeve shqiptare dhe gati 25 mijë familje të mbetura pa shtëpi. E gjithë kjo dramëkombëtare, që më së paku përfshihet në dy shifrat e mësipërme, mund të ishte parandaluar, në qoftë se, ky parlament, do të miratonte një projektligj kaq të thjeshtë e të qartë, si ky i sotmi, vetëm me shtatë nene. Pra, vetëm 7 nene duheshin formuluar dhe shqiptarëve nuk do t’u ishin grabitur paratë e fituara me kaq djersë e gjak, brenda dhe jashtë vendit. Vetëm 7 nene dhe mijëra shqiptarë të papunë e pa asnjë të ardhme, do të ishin sot të punësuar e me nivel të kënaqshëm jetese, pasi 1.2 miliardë dollarë të humbur do të ishin tejet të mjaftueshëm për të hapur me mijëra vende pune të reja.
Ridvan Bode - …Mashtrimi nëpërmjet huave me interesa të larta , i organizuar në forma nga më të ndryshmet, nuk ishte një fenomen thjesht shqiptar dhe as i provuar për herë të parë në Shqipëri. Për më tepër, është hasur jo vetëm në hapat e parë të instalimit të ekonomisë së tregut, por haset sot edhe në vendet me ekonomi të konsoliduar. Natyrisht, përmasat dhe shpejtësia e përhapjes në Shqipëri, ishin të pakrahasueshme. Që nga muaji prill 1996, ligji “Për Bankën e Shqipërisë”, ndalonte grumbullimin e depozitave nga persona fizikë dhe juridikë të palicensuar, por autoriteti më i lartë monetar i vendit është mjaftuar me dërgimin e informacioneve ngado, por jo në prokurori, për t’i hapur rrugë hetimit dhe gjykimit për legjitimitetin dhe rrezikshmërinë e fenomenit. Jo pa përgjegjësi për këtë problem është edhe qeveria, anëtar i së cilës kam qenë, pasi një paralajmërim në kohë, për riskun që mbante fenomeni “fajde”, mund të kishte minimizuar pasojat.
Hamit Gjoni - …Njerëzit e dinë mirë se kush është autori i kësaj katastrofe. Është qeverisja juaj e paaftë dhe e korruptuar, zotërinj deputetë të PD-së, që e çoi shtetin dhe qytetarët në këtë ditë. Ishit ju që qeverisnit dhe, si të tillë, duhej ta parandalonit këtë dramë. Paralajmërimet, brenda dhe jashtë vendit, ishin dhënë prej kohësh nga institucionet financiare ndërkombëtare, nga opozita, por edhe nga brenda vetë PD-së. Kujtojmë këtu deklaratat e ish-guvernatorit Luniku, kam parasysh edhenjë diskutim të zonjës Karamitro, në korrik të vitit të kaluar, këtu në parlament, ku tërhiqej vëmendja për këtë fenomen dhe paralajmërohej, bile shumë saktë, dhe për shpërthime sociale të mundshme…
Azem Hajdari - …Unë do të thoja që konstruksioni i këtyre firmave , për mendimin tim, në Shqipëri është një konstruksion i organizuar nga Sigurimi i Shtetit, i përqëndruar në Vlorë, afër bazës së Pasha-Limanit, është një konstruksion, në të cilin janë investuar elementë kriminalë, të cilët kanë gjetur mbështetje edhe në prapavijën e PD-së…
Blerim Çela - Elektoratit tim në Tepelenë i kam thënë, edhe në maj, edhe në tetor, që të mos futë para në firmat huamarrëse, veçanërisht në fondacione. Ndërsa për firmat huamarrëse që investonin, i kam paralajmëruar që, po dështuan, do të marrin vetëm vleftën o objekteve të ndërtuara. U kam theksuar që paratë janë të sigurta vetëm në bankë…Mosparalajmërimi i popullit është përgjegjësi e PD-së dhe e PS-së, por në radhë të parë e PD-së dhe e qeverisë së saj në pushtet….Ndihmën që propozoj për firmat rentiere ekzistuese, e mbështes në humanizmin që shteti duhet të tregojë ndaj qytetarëve të tij dhe jo ndaj firmës “Silva”, siç aludoni ju në “ZP”. Unë nuk e di se çka paraqitur kompania “Silva” në Ministrinë e Financave. Nëse presidenti i saj është kunati im, nuk është ortaku im. Zoti Shehaj ka qenë biznesmen vite më parë se të njihej me time motër…
Arben Malaj - Kisha menduar të flas në fund, por jam i detyruar të replikoj me z. Blerim Çela, që aq shumë qenka i shqetësuar, kur për pesë vjet pati në dorë Shërbimin e Kontrollit të Shtetit, kur për 5 vjet pati mundësi konkrete për të parandaluar këto kriza, dhe aktualisht del me propozime bajate, sesi mund të ndihmohen kompanitë, të cilave ky nuk ua ditka rezultatin, por sipas tij, i shlyekan detyrimet për dy-tre vjet! Në qoftë se nuk arritët të bëni gjë, të paktën me këtë popull mos u tallni, të paktën mos i gënjeni më…
Erion Braçe - …Ligji “Për Bankën e Shqipërisë” i 22 shkurtit 1996, i jepte fuqi ligjore bankës të ndalonte veprimtarinë e huamarrjes nga këto kompani. Guvernatori i bankës, zoti Luniku, ka paralajmëruar për rrënimin presidentin, Prokurorinë, Ministrinë e Fiancave. Janë 13 letra të tij, çuditërisht jo të gjitha të protokolluara, në Ministrinë e Financave, që u kërkojnë këtyre institucioneve ndërhyrje urgjente për të parandaluar rrënimin apo vjedhjen gjigande. Po kështu, edhe FMN-ja e Banka Botërore, kanë bërë të njëjtën gjë, derisa reagimi arriti kulmin, me mosnënshkrimin e marrëveshjes financiare për tre vitet e ardhshme. Guvernatori i Bankës, Luniku, bashkë me stafin e tij, ka paraqitur në muajin prill në Ministrinë e Financave, një iniciativë ligjvënëse, e cila ka marrë përgjigje pozitive nga ky dikaster, por gjithçka është bllokuar më pas. Nga kush? Pushteti ekzekutiv dhe shumica parlamentare ishte juaja. Baza ishte përsëri në kuadrin e 26 majit dhe parullës: “Me ne fitojnë të gjithë”…Për tre muaj, i vetmi veprim ndaj shefave të piramidave, ka qenë marrja e masës së arrestit nga Gjykata e Tiranës dhe më pas nxjerrja nga burgu. Por, gjatë gjithë kësaj kohe, shqiptarët dëshironin të dinin sinqerisht se ç’kishte ndodhur me paratë e tyre, ku kishin shkuar ato. Këtë duhet të kishte bërë prokuroria dy muaj më parë. Përse nuk u bë kjo? Apo sepse prokurorët bënin bodigardin e zonjës Shemsie Kadria deri në Rinas, për ta nxjerrë nga Shqipëria? …Mesa shoh unë, me veprimet e fundit, më duket se nuk po kërkoni të bëni transparencën. Vetë emërimi blic i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, demonstron pikërisht këtë, domethënë doni t’i vini kapak asaj fuçie që ndodhet atje…
Luan Hajdaraga - …Kjo seancë, besoj se duhet të jemi të gjithë dakord, duhej të bëhej, të paktën, në muajin tetor, kur ranë këmbanat e para, për katastrofën e sigurt që afrohej, nga FMN-ja. Këtyre rekomandimeve iu dha përgjigje, por me përqindjet marramendëse të “SUDE”-s dhe “Xhaferri”-t. Kur guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Luniku, ngriti çështjen e fajdeve me letra (zonja Karamitro e tha), i thanë të mos hapte më gojën dhe të heshtte si peshku. ..Për transparencën e plotë të firmave rentiere, duhet të flasë ish-kryeministri, ish-ministri i Financave, Prokurori i Përgjithshëm, guvernatori…Thua se ish-ministrat e kabinetit Meksi nuk e dinin se, në një kazino, vetëm dy persona dalin me fitime të sigurta: i pari - i zoti i kazinosë dhe i dyti - ai që nuk luan; të tjerët e kanë humbjen, thuajse, të garantuar. Duke folur për këtë shtet tonin, i cili, për fatin e keq të të gjithëve ishte kthyer në një kazino, ku luhej me shuma më të mëdha se edhe vetë buxheti kombëtar, më lejoni të them se, të zotët e kazinosë, kanë dalë me fitime kolosale, si në kohën e Ali Babës ….Asgjë nuk ishte e fshehur, përkundrazi, firmat vepronin legalisht, nën mbrojtjen e policisë, me kasafortat e bankave të shtetit, në sytë dhe veshët e Ministrisë së Financave, të Kontrollit të Shtetit, të Prokurorisë etj…
Aleksandër Meksi - …Në fund të vitit ’95, rastësisht, nëpërmjet diskutimeve, informohem për mënyrën sesi hipotekoheshin pasuritë e njërës prej këtyre firmave, duke shitur e blerë me transaksione në limit të dyshimit dhe me vlera që, kuptohej, do të vlenin më vonë për të balancuar likuiditetet që do t’u mungonin. …Atëherë kam thirrur zyrtarë të lartë, përfshirë Lunikun, në radhë të parë, zotin Vrioni e ndonjë tjetër, për të kërkuar që të fillojnë të hetojmë se cili është fenomeni, përmasat e tij, të cilat, sipas thënieve të Lunikut në janar, zakonisht, në tregun joformal të depozitave, hyjnë jo më shumë se 20 milionë dollarë në vit.
E’them Ruka - …Ishte qejf shumë i madh për qytetarët shqiptarë që të rrinin gjithë ditën në kafene dhe në fund të muajit të merrnin miliona. Po kaq qejf ishte edhe për fshatarët, të cilët thoshin se “lopa” te “Xhaferri” pjell për tre muaj. E pse të mos thoshin njerëzit hapur se “këta të PD-së janë të fortë, na bënë me para; vërtetë na rrahin ca, po të dalësh në mitingje, vërtet të rrëmben ndonjë veturë pa targë, po e teprove, por të gjitha durohen po ta kesh xhepin plot se paguan e del menjëherë jashtë”. “Është më mirë me këta, thoshte dikush tjetër, se me një mijë dollarë fajde, mban shkëlqyeshëm djalin dhe vajzën në universitet”. E pra, kjo ishte psikologjia sociale në vitin e famshëm elektoral 1996…Ndërsa Shqipëria lypte vaksinën e poliomelitit për të luftuar kundër vdekjes, “Miss Europa” gllabëroi qindra mijëra dollarë nga ish-kompania “Gjallica”. Dhe besoj të mos i keni harruar deputetët dhe qeveritarët e kapërdisur në pallatin e Kongreseve, duke ndjekur bukuroshet e kontinentit…
Bashkim Kopliku - …Detyrohem t’ju kujtoj se kam paralajmëruar për rrezikun e fajdeve që më 1993-shin, kur ngulja këmbë me të madhe përnevojën urgjente të bankave private, deri në Washington, deri në Bankën Botërore dhe në FMN, si mjeti më efikas kundër tregut joformal. Pastaj, më 1 mars 1996, në kohën e miratimit të ligjit të ri për sistemin bankar, e në vazhdim…më 20 nëntor 1996, kam ngulur këmbë që me fajdet duhet të merret ekzekutivi, në radhë të parë, e jo nënkomisione parlamentare pensionistësh….
Ilir Meta - …Aventura e fajdeve tregoi se ekonomia e një vendi nuk mund të shkojë përpara pa rritje të prodhimit të brendshëm dhe të eksportit, tregues që u injoruan në 5 vitet e fundit nga PD-ja, pavarësisht nga trumbetimet e mëdha, për rritjen më të madhe ekonomike të Shqipërisë, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste. Sot, mua më kujtohet edhe një herë përgjigjia që ekonomisti i njohur, Zhak Adali, ish-drejtor i BERZH-it, i dha pyetjes se si e shpjegonte që, Shqipëria kishte rritjen më të madhe ekonomike, në krahasim me shumë vende të tjera të Europës Qendrore e Lindore. Ai fare thjesht u përgjigj se: “Mbase kjo vjen ngaqë shqiptarët nuk kanë përvojë në përpunimin e statistikave”.