E Diel, 1 Nëntor 2026

Katastrofë ekologjike në bregdetin e Semanit, peshku helmohet me pesticide

FIER – Katastrofë ekologjike në zonën bregdetare të Fierit. Kuintalë të tërë peshqish të helmuar janë konstatuar paraditen e djeshme, në kanalin ku bashkohet ai i Vijës së Ngjalës me atë të Darëzezës, të cilët derdhen në detin Adriatik. Lajmi konfirmohet si nga burimet zyrtare të policisë së Fierit, ashtu edhe nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë dhe nga banorë të zonës së bregdetit të Semanit. 

Këto burime shprehen se persona ende të paidentifikuar kanë hedhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm sasi të konsiderueshme pesticidi Tiodan, i cili gjatë reaksionit kimik me ujin i heq atij oksigjenin, gjë që çon në ngordhjen e gjallesave. Sipas specialistëve të bujqësisë, peshqit e ngordhur kanë dalë në sipërfaqe gjatë kanalit, por edhe në bregdet. Kjo ka bërë që të ndotet fauna e bregdetit të Semanit. 

Banorë të zonës, tashmë të mësuar me këtë metodë që përdoret nga persona të papërgjegjshëm, nuk kanë shkuar për blerë peshk në tregun e Fierit. Pas lajmit të dhënë për helmimin e peshkut, as banorët e qytetarët e Fierit nuk kanë blerë peshk tek persona që e shesin atë me tezga. Nga ana e saj, policia ka shoqëruar disa tregtarë peshku, të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, por më pas ata janë lënë të lirë. Helmimi i ujit në kanalin që derdhet në bregdetin e Semanit është shumë i rrezikshëm edhe për bagëtitë që kullotin anës kanalit.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›