Kategoria I kthehet ne fushe, debora shtyn Terbuni-Beselidhja
Kategoria e parë do të rikthehet në fushën e lojës, për të zhvilluar ndeshjet e javës së 13, në mënyrë që të rikuperohet terreni pas ndërprerjes njëjavore të kampionatit. Megjithatë, takimi Tërbuni-Besëlidhja nuk do të zhvillohet, për shkak të reshjeve të dendura të dëborës në qytetin e Pukës, të cilat e bëjnë të pamundur zhvillimin normal të një ndeshjeje futbolli. Sfida më interesante është ajo ku Pogradeci kryesues do të luajë në fushën e Mamurrasit, që renditet në vendin e pestë dhe ëndërron të ngjitet në elitë. Gramshi pret Kamzën e vendit të dytë, Apoloninë e pret një përballje e lehtë (të paktën në letër) me Vlorën, ndërsa Tomori i vendit të katërt luan në Berat kundër Luftëtarit, që ndodhet në pozita mjaft të vështira. Në sfidat e tjera, Partizani dhe Ada kanë një duel direkt për mbijetesë, Lushnja që kërkon të afrohet me kreun luan në Burrel, ndërsa Gramozi pret Bilisht Sportin.