E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kategoritë që do u hapen dosjet”

Pas letrës së kryetares së Kuvendit për shqyrtimin e draftit për hapjen e dosjeve të spiunëve, maxhoranca është duke përgatitur një draft ku të përfshihen propozimet e PD-së, PS-së dhe PDK-së, të cilat prej dy vitesh janë në Kuvend. 

ADI SHKEMBI

Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, i cili po punon mbi këto drafte thotë se, megjithëse ende nuk ka një draft përfundimtar, janë përcaktuar kategoritë për të cilat do të propozohet hapja e dosjeve. Ndërkohë gjatë seancës së djeshme të komisionit të Ligjeve, kreu i këtij komisioni, Fatos Beja, informoi lidhur me letrën e ardhur nga Topalli, ndërkohë që sipas deputetit të PS-së, Bashkim Fino letra është e panevojshme për shkak se ligji për hapjen e dosjeve të spiunëve është i parashikuar në kalendarin e komisionit.
Kategoritë
Sipas deputetit demokrat, i cili pak ditë më parë u mandatua nga Këshilli i Evropës për hetimin e krimeve të Stalinit, janë të paktën 10 kategoritë për të cilat do të propozohet hapja e dosjeve. Kështu sipas tij, kategoritë që do të preken janë nivelet e larta të administratës, përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë, diplomacisë dhe përfaqësuesit kryesorë të mediave. Në një prononcim për gazetën “Panorama” Biberaj tha se, “do të propozohet gjithashtu edhe hapja e dosjeve për rektorët, dekanët, kryetarët e bashkive, kryetarët e komunave, krerët e lartë të partive, krerët rajonalë të partive”.
Draftet
Duke folur për tre draftet, të cilat pritet të shkrihen në një, deputeti demokrat Biberaj u shpreh se, drafti më i pranueshëm është ai i demokratëve që ka pak ndryshime nga ligji i vitit 1996. “Mendoj që drafti më i mirë është i PD-së, pasi bazohet në ligjin që është aplikuar në vitet 1995- 1996. I dyti ka qenë i PDK-së dhe i treti i PS-së, i cili mendoj se ka qenë vetëm sa për të qenë në lojë”, theksoi dje Biberaj në një prononcim për mediat. Prej dy vitesh në kryesinë e Kuvendit ndodhen tre drafte të paraqitura nga PD-ja, PS-ja e PDK-ja, të cilat nuk u futën asnjëherë në seancat e punimeve. Në variantin e PD-së thuhet se, verifikimi i pastërtisë së figurës kryhet nga një komision i përbërë nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi. Kandidaturat për anëtarë propozohen nga: 1. Komisioni parlamentar i Ligjeve; 1, komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare; 1, ministri i Brendshëm; 1, drejtori i SHISH dhe 1, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit. Ndërsa sipas variantit të socialistëve, verifikimi i zyrtarëve të lartë shtetërorë do të bëhet nga një komision shtetëror i përbërë nga 5 anëtarë, që do të zgjasë 6 muaj dhe do të varet e përgjigjet për punën e kryer para Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari i komisionit të Verifikimit propozohet të zgjidhet nga presidenti, ndërsa katër anëtarët e tjerë të tij të jenë propozime të dy kampeve pozitë-opozitë. Por anëtarët e komisionit duhet të deklarojnë para nisjes së punës se nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Ndërkohë që në variantin e demokristianëve thuhet se, ish-spiunët do të kenë mundësinë të kandidojnë për deputetë dhe në njësitë e qeverisjes vendore. “Ish-spiunët dhe bashkëpunëtorët ndalohen të zgjidhen në postet drejtuese të shtetit shqiptar. Kontrollit do t’i nënshtrohen presidenti, deputetët e Kuvendit, kryeministri, nëpunës të nivelit të lartë dhe të mesëm. Kontrollit do t’i nënshtrohen dhe gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve, zyrtarët që zgjidhen e emërohen nga presidenti, kryeministri, ministri dhe Kuvendi. Për verifikimin e kontrollin e figurës së personit zyrtar ngrihet një komision i posaçëm pranë SHISH. Ky komision do të përbëhet nga inspektori i Përgjithshëm i Deklarimit të Pasurive. Në përbërje do të jenë dhe katër anëtarë të emëruar nga presidenti, me propozim të pozitës dhe opozitës me një mandat 5-vjeçar”, theksohet në variantin e demokristianëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›