E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kategoritë që janë më të rrezikuara nga gripi i derrit

Mjekët klasifikojnë si më të rrezikuarit personat që janë të sëmurë kronikë

Emanuela Sako

Specialistët e shëndetësisë kanë përcaktuar kategoritë që janë më të rrezikuara nga virusi i gripit të derrit. Drejtori i ISHP-së pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, shprehet se kategoritë më të rrezikuara janë të rriturit dhe të gjithë personat që janë në marrëdhënie pune. Ky klasifikim vjen për shkak të udhëtimeve të shpeshta dhe kontakteve që kanë me shumë persona. Nga ana tjetër, gripi është i lidhur fort me personat me imunitet të dobët dhe që vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Bejtja specifikon si më të rrezikuar personat që vuajnë nga sëmundje si zemra, astma, veshkat, mushkëritë etj. Virusi A H1N1 i gjen këta persona më të dobët fizikisht dhe e ka më të lehtë të krijojë terren të favorshëm në organizmin e tyre. Ai shprehet se këta persona duhet të kenë më tepër kujdes dhe në rast se vënë re simptomat e para, duhet të drejtohen menjëherë pranë spitaleve. “Aktualisht nuk kemi të konfirmuar asnjë rast të prekur me A/H1N1 në Shqipëri. Nuk mund të themi që nuk qarkullon virusi. Mund të qarkullojë në format e veta sepse fatmirësisht ky virus nuk shkakton sëmundje të rënda. Në raste të veçanta, kryesisht në persona që vuajnë nga sëmundje të tjera si, diabet, astmë, persona me probleme kardiake apo probleme të tjera kronike, mund të preken më rëndë nga të tjerët”, - theksoi drejtori i ISHP-së pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Kategoritë
Përveç këtyre kategorive, mjekët nuk përjashtojnë fëmijët dhe të moshuarit. Por kjo kategori mund të jetë disi më e privuar nëse nuk ekspozohet në ambiente publike. Specialistët vënë në dukje se nëse pjesëtarë të këtyre kategorive vuajnë nga ndonjë sëmundje, atëherë këta persona janë më të rrezikuar se të rriturit. Moshat e thyera kanë probleme me sëmundjet kronike dhe kjo përbën një përparësi për virusin te të moshuarit. “Virusi prek kryesisht adultët dhe të rriturit sepse është i lidhur me udhëtimet, por nuk ka kursyer as fëmijët dhe pleqtë”, - u shpreh Bejtja. Ministria e Shëndetësisë nuk përjashton rastet që ndonjë person të ketë kaluar komplikacionet e gripit të derrit, por në formë të lehtë. Megjithatë, asnjë rast nuk është konfirmuar ende nga specialistët e shëndetësisë.
Simptomat
Specialistët e shëndetësisë kërkojnë ndërgjegjësimin e popullatës për njohjen e simptomave dhe denoncimin e rasteve pranë strukturave shëndetësore. Shenjat e para të prekjes nga virusi janë temperaturë e lartë, kollë, të vjella dhe diarre. Këto simptoma janë të përafërta me gripin normal dhe për këtë arsye kërkohet kryerja e ekzaminimeve laboratorike, për të konfirmuar nëse rasti është një grip i zakonshëm ose jo. Aktualisht ISHP ka kryer 71 ekzaminime laboratorike dhe ende nuk është konfirmuar asnjë rast me gripin e derrit. Por ata kërkojnë që të parandalojnë rastet nëpërmjet vaksinimit, pasi sezoni i vjeshtës mund të përkeqësojë gjendjen shëndetësore dhe të shtojë rastet sepse është një periudhë e favorshme për gripin. Drejtuesit e Shëndetësisë theksojnë se e gjithë popullata duhet të vaksinohet ndaj gripit të zakonshëm, pasi më vonë mund të ketë një kombinim.
ISHP-ja është furnizuar me një sasi të konsiderueshme Tamifluje, e cila do të shërbejë për kurimin e rreth 4500 pacientëve të parë nëse do të preken nga virusi AH1N1. Ndërsa pritet që të ketë blerje të reja, të cilat do të shpërndahen nëpër farmaci dhe mund të blihen nga vetë qytetarët. Vaksinimi i popullatës është e vetmja mundësi që mund të frenojë përhapjen e virusit. Ndërkohë që në fund të muajit në ISHP do të përfundojë plotësisht Laboratori i Virologjisë, ku do të kryhen të gjitha analizat. Ky është laboratori i parë i këtij lloji në vendin tonë dhe do të mundësojë kryerjen e analizave brenda vendit.

Mjekët e QSUT-së, operacion të suksesshëm në pjesën e nofullës
Mjekët në QSUT realizojnë me sukses një operacion të rrallë në pjesën e nofullës të një 18- vjeçareje. Mjekët e Spitalit Francez në QSUT kanë kryer një ndërhyrje kirurgjikale në pjesën e nofullës, të cilën e kanë transformuar duke e sjellë në parametrat normalë. Vajza 18-vjeçare nga qyteti i Elbasanit që iu nënshtrua operacionit tani është në gjendje të mirë shëndetësore dhe mjaft e kënaqur për përfundimin e operacionit. Prej disa vitesh ajo u ishte nënshtruar konsultave edhe në shtetet fqinje, por mjekët shqiptarë arritën që me ndihmën e disa mjekëve irlandezë të mund t’i kthenin 18-vjeçares një pamje normale në pjesën e fytyrës. Shefi i pavijonit të defekteve të nofullës në Spitalin Francez në QSUT, Ramazan Isufi, i cili ka kryer dhe operacionin, thotë se ndërhyrje të tilla janë tepër të vështira. Por ai vë në dukje një problem tjetër që ka lidhje me mundësitë ekonomike dhe përballimin e operacioneve nga ana e familjarëve. Sipas tij, të tilla operacione nuk mbulohen nga shteti, ndërkohë që në klinikat private ato kanë një kosto tepër të lartë. Babai i vajzës, Shkëlqim Varfri, shprehet se ka hasur shumë vështirësi deri në kryerjen e operacionit në QSUT. Ai u është drejtuar spitaleve të huaja në vendet fqinje, por situata pas operacionit i është paraqitur tepër e vështirë. Mjeku Isufi theksoi se operacione të tilla në Spitalin Francez kanë gati tre vjet që realizohen. Ndërkohë që bluzat e bardha tregojnë se rreth 70% e pacientëve që paraqiten pranë këtij spitali kanë defekte nga më të ndryshmet në pjesën e fytyrës. Shumica e operacioneve të kryera kanë rezultuar me sukses.

Temperaturat e larta, 400 raste paraqiten çdo ditë në Urgjencë
Urgjencat e spitaleve po përballojnë një fluks tepër të lartë të pacientëve, që paraqiten me probleme të shkaktuara nga temperaturat e larta. Me shtimin e temperaturave janë rritur edhe problemet shëndetësore te të gjitha kategoritë e njerëzve.
Në urgjencat e spitaleve numri i personave ka arritur në 400, që konsiderohet një shifër e lartë nga mjekët. Urgjencat e spitaleve më të tejmbushura janë Urgjenca e Kardiologjisë me 120 persona në ditë, Urgjenca e Spitalit Infektiv me 100 persona në ditë dhe Pediatria me mbi 200 persona në ditë. Mjekët në Pediatrinë e QSUT-së shprehen se ka një fluks të vegjlish me probleme të ndryshme që shkaktohen nga temperaturat e larta. Mjekët theksojnë se të gjithë këta persona kanë marrë ndihmën e duhur si dhe këshillat përkatëse dhe një pjesë janë larguar nga ambientet e spitalit. Mjekët bëjnë apel që të tregohet kujdes me ushqimet që konsumohen, për të cilat blerësit duhet të sigurohen që janë të kontrolluara dhe të sigurta. Ata këshillojnë konsumimin e sa më shumë lëngjeve, deri 2 litrave ujë në ditë, fruta dhe zarzavate, ndërsa kujdes të veçantë duhet të tregohet për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna e të sëmurët kronikë. Specialistët theksojnë që duhet të bëhet reduktimi i sforcove fizike në orët më të nxehta të ditës dhe duhet të vihet në funksion mbajtja e kapelës apo çadrës në rastet e daljes në rrugë, mbajtja e rrobave të gjera, të lehta, me ngjyra të çelura. Ndërsa disa nga masat që duhen të merren për parandalimin e infeksioneve dhe virozave janë konsumimi i ujit të sigurt, larja e vazhdueshme e duarve, ruajta e ushqimeve në frigorifer apo në vende të freskëta, konsumim i freskët i ushqimeve, sidomos atyre me përmbajtje bulmetrash, vezësh, mishit etj.

15 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›