E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen neo-nazistët dhe ultra-nacionalistët në Serbi

Në Serbi po konstatohet një dukuri sociale shqetësuese, për të cilën, për shkak të përmasave të saj në rritje, nga viti në vit, është e detyruar të shkruajë edhe media serbe dhe ta marrin në shqyrtim analistët dhe sociologët serbë. Fjala është për rritjen e madhe të numrit të organizatave, lëvizjeve dhe grupeve ekstremiste ultra të djathta, në shpesh raste me karakter ultra-nacionalist, neo-nazist, klero-fashist dhe fashist etj. Disa prej tyre, sikurse shkruan shtypi serb, madje kanë arritur të regjistrohen si organizata joqeveritare, për të mos folur për ato që nuk janë të regjistruar, por që zhvillojnë hapur një veprimtari intensive nëpër qytete të ndryshme të Serbisë. Midis këtyre organizatave dhe lëvizjeve ekstremiste ultra-nacionaliste, më të dalluarat, sipas medias serbe, janë lëvizja "1389", organizatat "Nacionalni stroj" (Rendi Nacionalist), "Obraz" (Fytyra), "Krv i çast" (Gjaku dhe nderi), "Rasonalisti" (Nacionalistët racorë) dhe një serë grupesh neo-naziste skinheds-ash, që organizojnë veprimtari, të cilat në shpesh raste përfundojnë me konfrontime me policinë dhe në akte dhune kundër atyre që i kundërshtojnë dhe protestojnë ndaj tyre.

Prokuroria e Serbisë, vinte në dukje ditët e fundit gazeta e përditshme e Beogradit, "Politika", nuk disponon asnjë lloj liste që t‘i klasifikojë këto organizata, madje as nuk ka ndonjë evidentim të saktë të veprimtarisë së tyre. Dhe se me çfarë idesh e nocionesh ultra-nacionaliste, neo-naziste, madje edhe fashiste, janë të mbushur programet e këtyre organizatave ekstremiste, e tregon edhe një prononcim që i dha ditët e fundit zëdhënësi i Prokurorisë së Serbisë, Tomo Zoriç, gazetës së lartpërmendur serbe. Sipas tij, këto lloj organizatash përhapin urrejtje nacionale, fetare dhe racore dhe si shembull solli "Rendin nacionalist" që, sipas tij, është një organizatë fashiste e cila duket edhe nga programi dhe statuti që ajo ka shpallur në internet. "Mund t‘ju sjell një shembull se ‘Rendi nacionalist‘ i porosit anëtarët e vet se kjo organizatë duhet të zgjerojë nocionet e lirisë kombëtare, të së drejtës sociale e të identitetit racor dhe se qëllimi i saj janë ruajtja dhe ripërtëritja e vlerave të vërteta të kombit serb, si pjesë përbërëse e racës së bardhë, si dhe zhvillimi shpirtëror dhe mendor i çdo individi brenda kombit tonë", vuri në dukje zëdhënësi Zoriç, duke theksuar se prokuroria nuk mund të kërkojë heqjen e organizatës "Rendi nacionalist" nga regjistri përkatës i Ministrisë së Drejtësisë, pasi ajo as që është regjistruar.

Analistët dhe ekspertët serbë, duke pasur parasysh shqetësimin që ka shkaktuar midis opinionit publik dhe njerëzve shtimi i numrit të organizatave ekstremiste ultra-nacionaliste dhe neo-naziste në Serbi, janë të mendimit se organizata të tilla si lëvizja "1389", "Rendi nacionalist" dhe "Fytyra", nuk ndikojnë direkt në jetën politike, por ato prishin atmosferën e përgjithshme shoqërore në vend. Kryetarja e Fondit serb për Ekskluzivitetin Politik, Sonja Liht, vë në dukje se edhe pse "organizata të tilla nuk ndikojnë direkt në jetën politike të vendit, ato helmojnë atmosferën shoqërore të përgjithshme dhe ndikojnë te përhapja e ndjenjës së pasigurisë midis njerëzve", ndërsa thekson se "të gjithë, pa përjashtim, ata që tregojnë çfarëdolloj forme të sjelljes së dhunshme kundër kujtdo qoftë, duhet absolutisht që të përgjigjen ligjërisht për sjelljet e tyre", por, sikurse vë në dukje znj. Liht, "duket qartë se në Serbi kundër dhunës, në përgjithësi, nuk procedohet dhe në këto kushte as edhe kundër kësaj lloj dhune. Për fat të keq jetojmë në kohëra kur organizatat e djathta ekstremiste, madje edhe ato fashiste, po shtohen dhe, në fakt, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vende të tjera".

Media serbe përmend disa nga "shfaqjet" e fundit të organizatave ekstremiste ultra djathtiste serbe, duke veçuar aktet e dhunës të kryera kohët e fundit nga një grup i organizatës "Obraz" kundër pjesëmarrësve të një proteste anti-fashiste në lagjen Bellvill të Beogradit të Ri, me rastin që u lënduan disa pjesëtarë të protestës; aksionin e goditjes me gurë të disa ministrave të qeverisë serbe pranë Leposaviçit etj. Me këtë rast duhet të theksohet se lëvizja ultra-nacionaliste "1389" organizoi më 28 qershor të këtij viti nëpër rrugët e Beogradit një marshim me rastin e Vidovdanit, sikurse e quajnë ndryshe serbët ditën kur u zhvillua Beteja e Kosovës në Fushë-Kosovë, më 28 qershor të vitit 1389. Edhe në këtë marshim, si gjithnjë në kësisoj rastesh, nuk munguan parullat kundër pavarësisë së Kosovës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›