E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër “Mercedes-Benz” të viteve ’70-’90 pritet t’i shtohen koleksionit “RETRO”

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Katër automjete historike të markës “Mercedes-Benz” janë paraqitur këtë javë për vlerësim pranë Komisionit “RETRO”, me qëllim përfitimin e statusit të mjeteve historike.

Sipas informacionit të publikuar nga Retro.al, në vlerësim janë paraqitur një “Mercedes-Benz” W460 G300TD, prodhim i vitit 1985, një “Mercedes-Benz” R107 280SL, prodhim i vitit 1977, një “Mercedes-Benz” W124 E200, prodhim i vitit 1994, si dhe një “Mercedes-Benz” R107 500SL, prodhim i vitit 1981.

Statusi “RETRO” u jepet mjeteve rrugore të hershme pas vlerësimit nga komisioni përkatës, nëse ato plotësojnë kriteret e përcaktuara në rregullore.

Ndër kriteret kryesore është që automjeti të jetë të paktën 30 vjeç, të jetë ruajtur, restauruar ose rikonstruktuar në formën e tij origjinale, të mos përdoret për qarkullim të përditshëm apo për qëllime ekonomike dhe të klasifikohet si mjet me vlerë historike. Gjithashtu, mjeti duhet të mos jetë më në prodhim.

Shqipëria ka tashmë një numër të konsiderueshëm mjetesh me vlerë historike, të evidentuara përmes Komisionit “RETRO”, i cili prej vitit 2020 vlerëson automjetet që plotësojnë kriteret për këtë status.

Që nga qershori 2020, 786 mjete janë paraqitur dhe verifikuar nga Komisioni “RETRO”, ndërsa 574 prej tyre kanë përmbushur kriteret dhe janë kualifikuar për marrjen e statusit “RETRO”.

Ndërkohë, koleksioni i publikuar “RETRO” përmban aktualisht 390 automjete. Kjo shifër i referohet automjeteve të ekspozuara në koleksion dhe nuk është domosdoshmërisht e njëjtë me numrin total të mjeteve që kanë marrë statusin “RETRO”.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›