E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër Presidentët theksojnë nevojën e rritjes së bashkëpunimit rajonal si hap të rëndësishëm për integrimin e plotë të vendeve tona

12 korrik 2011
Ohër, Maqedoni

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, në krye të një delegacioni zyrtar, mori pjesë sot në mesditë, në Takimin III së bashku me Presidentët e Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi, në qytetin e Ohrit, në Maqedoni.

Presidentët e Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi, vlerësuan aktivitetin shumë të rëndësishëm tradicional duke theksuar se ky Takim III mes katër Krerëve të Shteteve, si dhe takimet dypalëshe ku shprehen mendimet e sugjerimet e tyre për rritjen dhe thellimin e bashkëveprimit, do të jenë patjetër një kontribut i dobishëm në funksion të forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes katër vendeve fqinje, në përmbushje të interesave të ndërsjella politike, ekonomike, etj.

Në mënyrë të veçantë, Kryetarët e Shteteve vlerësuan rëndësinë e këtij Takimi III, i cili do të shënojë një hap tjetër konkret e domethënës të përkushtimit serioz e të përbashkët për të përshpejtuar integrimin e plotë të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Maqedonisë në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ky takim shërbeu gjithashtu për përforcimin e një imazhi pozitiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ritheksoi dedikimin dhe vendosmërinë e përbashkët në interes të forcimit të bashkëpunimit rajonal, përparimit ekonomik, për të përballuar së bashku probleme, kriza dhe sfida, si dhe për të koordinuar nismat e mëtejshme e qëndrimet e përbashkëta mbi çështje rajonale e globale.

Me këtë rast Presidenti Topi theksoi mes të tjerash: “Bashkëpunimi ynë duhet të vazhdojë e të përfshijë edhe vende të tjera. I sugjeroj mikut tim, Presidentit Vujanoviç që të ftojë edhe Presidentin Tadiç në takimin tonë të ardhshëm që do të mbahet në Mal të Zi. Mund të mos biem dakord për gjithçka, por kemi çështje të rëndësishme me interes të përbashkët dhe Serbia nuk duhet t’u shmanget organizimeve rajonale.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›