E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacolli

11 korrik 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot paradite Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacolli së bashku me delegacionin që e shoqëron në përbërje të së cilit ishte edhe Zëvendëskryeministrja tjetër e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, njëkohësisht Ministre e Tregtisë.

Pasi u uroi mirësesardhjen dhe nënvizoi kënaqësinë e veçantë të këtij takimi të mirëpritur, Presidenti Topi i shprehu Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Pacolli, vlerësimet më të larta për përpjekjet e vazhdueshme dhe intensive dhe të gjitha nismat kurajoze në shërbim të perspektivës së ardhshme evropiane jo vetëm të Kosovës, por dhe të Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar siç është Nisma “Për Një Hapësirë Mbarëkombëtare Zhvillimi”.

Ish-Presidenti i Kosovës dhe aktualisht Zëvendëskryeministër i saj, zoti Behgjet Pacolli, i shprehu Presidentit Topi konsideratat më të larta për kontributin e vyer institucional e personal për konsolidimin e marrëdhënieve e rritjes së bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, në të mirë të popujve tanë e ruajtjes së stabilitetit afatgjatë në të gjithë rajonin.

Presidenti Topi vlerësoi përpjekjet në rritje të vendeve të Ballkanit Perëndimor për përmirësimin e dialogut politik bashkëpunimit ekonomik midis tyre në një rajon që ofron mundësi të mëdha sipas modeleve ekonomike të vendeve të Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›