E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Presidenti Vujanoviç konfirmojnë nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve si një shembull bashkëpunimi në rajon

12 korrik 2011
Ohër, Maqedoni

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi pati sot një takim me Presidentin e Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, me të cilin zhvilloi një bisedë mjaft të ngrohtë e miqësore të fokusuar në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të shkëlqyer që ekziston mes dy vendeve tona.

Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe rolin personal të Presidentit Topi në këtë drejtim. Presidenti Vujanoviç vlerësoi se kjo marrëdhënie është një shembull i shkëlqyer për gjithë rajonin. Presidenti malazez vlerësoi nismën e takimit katërpalësh mes Presidentëve si shumë të rëndësishme e domethënëse për vendet respektive. Zoti Vujanoviç shprehu nevojën e përmirësimit të infrastrukturës që lidh dy vendet, çka do të lehtësonte më tej komunikimin pozitiv me dy vendeve. Presidenti Vujanoviç shprehu vlerësimin e veçantë për rolin e Presidentit Topi, i cili shihet me shumë respekt jo vetëm nga shqiptarët, por edhe qytetarët malazezë në Malin e Zi, për komunikimin dhe rolin e tij shumë konstruktiv në afrimin e qytetarëve të dy vendeve.

Presidenti Topi duke e falenderuar për vlerësimet e ngrohta e shumë miqësore, vlerësoi se edhe Presidenti Vujanoviç me gatishmërinë e tij shumë pozitive e miqësore ka ndikuar në forcimin reciprok të kësaj marrëdhënieje.

Në funksion të një stadi edhe më konkret të bashkëpunimit dypalësh, Presidenti Topi theksoi nevojën e impenjimit për tërheqjen e sa më shumë investimeve për projekte të përbashkëta si ai për Liqenin e Shkodrës dhe Lumit Buna, për të cilin u zhvillua një simpozium i posaçëm në Podgoricë, të Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Namuna apo të tjera për zhvillimin e turizmit në interes të dy vendeve.

Në përfundim të bisedës, Presidenti Topi dhe Presidenti Vujanoviç rishprehën vullnetin e tyre politik për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, për rritjen e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, fuqizimin e sistemit të komunikacionit, lehtësimin e mëtejshëm të qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve si dhe përdorimin e frytshëm të resurseve turistike në të dyja vendet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›