E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër artistë italianë "emigrojnë" në Tiranë

Katër artistë italianë, në kërkim të eksperiencës dhe ndikimit të saj në një vepër arti, kanë ndërmarrë një udhëtim drejt Tiranës. Secili veçmas tjetrit, në itinerare që përshkojnë vende të ndryshme. Claudia Losi, Andrea Naçiariti, Francesco Pedrini dhe Stefano Romano kanë vendosur të bëjnë të kundërtën e rrugëtimit që shumë shqiptarë kanë bërë pas ‘90-s drejt Italisë. "Udhëtimi në këtë rast shërbente si eksperiencë e jetuar nga e cila mund të lindë një vepër e mirë arti. Nuk mund të realizohet një punë mbi paqen nëse nuk e ke përjetuar me të vërtetë luftën. Kështu nga një realitet i thjeshtë, por i përjetuar në mënyrë të ndryshme nga secili prej nesh, kanë lindur katër vepra arti", shprehet Stefano Romano, një nga artistët pjesëmarrës dhe bashkideator i projektit "4 Ways to" me Francesco Pedrinin. Prej vitit 2003, Romano ka realizuar një sërë projektesh të artit bashkëkohor në Tiranë e për pasojë e njeh tashmë realitetin shqiptar, mënyrën e të jetuarit dhe të perceptuarit. Katër artistët italianë, do të ekspozojnë nesër në galerinë "Zenit" katër veprat e realizuara pas udhëtimit në Shqipëri. Ekspozita do të jetë një prej aktiviteteve satelitore të organizuara në kuadër të edicionit të katërt të Bienales së Tiranës. Nga Bergamo, Stefano Romano ka përshkuar Ankonën, Ulqinin, Podgoricën, Shkodrën për të mbërritur në Tiranë. Gjatë kësaj kohe ka udhëtuar me furgona e taksi, ka fjetur në traget, shtëpi private apo hotele. Diku ka ndier ftohtë, diku është ndier më i vetmuar dhe diku e ka ndier veten si në shtëpi. Pikërisht puna e tij ka të bëjë me konceptin e shtëpisë. I dedikohet aktit të fjetjes, si një nga momentet më të brishta të njeriut, gjatë të cilit do të ndihet i mbrojtur. "Vendet ku flija kishin më shumë rëndësi për mua sesa vendet ku shkelja. Sot, në kohët moderne mund të ulesh të bisedosh lokaleve, të punosh me internetin aty, mund të drekosh jashtë pa pasur nevojë që të jesh me patjetër në shtëpi. Por shtëpia është e pazëvendësueshme në orët e gjumit, gjatë të cilave kur mbyll sytë, kërkon të jesh i sigurt. Në përfundim kam realizuar 5 vizatime në kanavacë që do të ekspozohen në "Zenit", shprehet Romano. Francesco Pedrini e ka përqendruar punën e tij në kriporet e Ulqinit, Claudia Losi ka shkuar të gjejë atë pjesë të Shqipërisë që ndodhet në Itali, përmes një vizite në komunitetin arbëresh, ndërsa Andrea Naçiariti, me idenë e një dështimi që në fillim të kësaj eksperience ka udhëtuar me avion nga Italia në Tiranë dhe ia ka kushtuar punën e tij dështimit të një vepre artistike. Paralelisht me ta, kuratorja italiane, Sara Mazzocchi do të organizojë një tryezë të rrumbullakët me diskutime mbi përvojën e udhëtimit dhe domosdoshmërinë e një eksperience reale për të realizuar një vepër arti. Në fillim të udhëtimit, Mazzocchi u ka shpërndarë artistëve nga një katalog me dizajno, në të cilët mund të pikturonin apo të shënonin përshtypje gjatë udhëtimit. Të katërt janë takuar në sheshin "Skënderbej" në datën 7 shtator. Secili prej tyre pak a shumë e njeh Shqipërinë. Losi ka marrë pjesë në "Onufrin" e vitit 1999, Francesco ka qenë para dy vjetësh pjesë e një projekti të artit kontemporan e po ashtu edhe Romano. Perceptimi për Shqipërinë është pothuajse i njëjtë për të gjithë. "Një vend në ndërtim e sipër, me kontradikta të mëdha, një vend ku duket sikur sheh Perëndimin dhe Lindjen të përziera së bashku. Gjithsesi, është përshtypja e diçkaje që po lëviz, që ka energji për të ecur përpara, krahasuar edhe me vendin tonë ku këto kohë pothuajse çdo gjë ka ndalur", shprehet artisti Stefano Romano. Kjo energji, standardet e jetesës që sipas tij i sheh të rriten nga viti në vit, kanë reflektuar edhe në "konsumin" që i bëhet artit, veçanërisht atij bashkëkohor. "Arti nuk është parësor në një vend ku ka nevoja më të ngutshme. Me ngritjen e standardeve të jetesës, tani ka më shumë mundësi të lëvizin, të shohin, të informohen. Publiku është më i kujdesshëm edhe më kritik dhe kjo është e mirë, sepse jo çdo gjë që mbërrin nga arti kontemporan është i mirë", shprehet Romano. Artistët do të jenë të pranishëm në ceremoninë e çeljes së ekspozitës, të gatshëm për një dialogim të drejtpërdrejtë me publikun që do të jetë i pranishëm në "Zenit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›