E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fotografët e rinj ekspozojnë në Korçë

Rreth 60 fotografi të përzgjedhura nga 20 të rinj që ndoqën shkollën verore të fotografisë, janë prezantuar në një ekspozitë të hapur në sallën e galerisë së artit "Guri Madhi" në Korçë. Nën kujdesin e fotografit Eljano Kalemi, fotografitë e realizuara dhe ekspozuara nga të rinjtë, sjellin aspekte të ndryshme të jetës sociale, këndvështrimet e tyre për jetën në qytet, vendet më piktoreske, pamje social-kulturore etj. "Këta të rinj na dhurojnë fotografi interesante, ndonëse janë në hapat e parë të këtij arti, por premtues për të ardhmen", tha në çelje të ekspozitës drejtori i qendrës kulturore, Vladimir Topi.

Topi shtoi se shkolla verore e fotografisë e praktikuar për të dytin vit radhazi nën kujdesin e bashkisë do të kthehet në një traditë për të evidentuar vlerat më të mira të fotografëve korçarë. Ndërsa përmes shkollës verore të fotografisë, synohet që të zhvillohet arti i fotografisë te të rinjtë që e kanë pasion dhe dëshirojnë të bëhen fotografë profesionistë në të ardhmen.

Bashkia e Korçës, krahas projektit të shkollës verore të fotografisë për të rinjtë e qytetit, po organizon dhe kurset e poçerisë, pikturës etj., për të nxitur tek ata përtëritjen e gjithë llojeve dhe gjinive të artit, të cilat janë pjesë e traditës dhe trashëgimisë kulturore të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›