Katër bienale
Katër bienale, njëzet vite, dhjetëra artistë dhe një kurator. Emri i tij është Rene Block dhe vjen nga Gjermania, ndërsa ekspozita titullohet ‘Bienalet në Grafikë’.
Katër portofolat e kësaj ekspozite janë krijuar përgjatë 20 viteve, dhe si kuartet nuk janë vetëm koleksione artistike, por edhe historike të artit. E shumëfishojnë idenë e ekspozitave përkatëse dhe i shtyjnë përpara, përtej vendndodhjes dhe kohëzgjatjes së projektit. Qëllimet artistike të ekspozitës janë të nivelit më të lartë seç mund të prezantohen me një ekspozitë ose një katalog. Portofolat pasqyrojnë evolucionet thelbësore në konceptet e artit, ato janë platformë për realizimin dhe përhapjen e ideve artistike dhe së fundit, por jo edhe e vetme, e shkruajnë një histori të zhvillimit të teknikave grafike.
Në hapje të ekspozitës, të hënën mbrëma në Galerinë e Arteve të Kosovës, Erzen Shkololli, drejtor i kësaj galerie, u shpreh se këtu kemi të ekspozuara katër portofole të zotëriut Rene Block, të cilat janë edicione të bienaleve të ndryshme që përfshijnë një periudhë njëzet vjeçare, prej vitit 1985 deri në vitin 2005.
“Është një përmbledhje e edicioneve të artistëve me të cilët Rene Block punoi në bienale të ndryshme si në bienalen e Hamburgut në vitin 1985, bienalen e Sidnejt, bienalen e Stambollit etj.”, theksoi Shkololli.
Ndërkaq, ministri i Kulturës Memli Krasniqi u shpreh se e kemi në mesin tonë njërin prej kuratorëve më të famshëm botëror zotin Rene Block, i cili e ka nderuar Galerinë e Arteve me këtë përzgjedhje të punëve të katër bienaleve të edicionit Block.
“Pa dyshim se kjo ekspozitë është edhe një vlerë e shtuar në përgjithësi për artin dhe për skenën kulturore në Kosovë dhe në veçanti për Galerinë e Arteve të Kosovës dhe ajo që mua më bën të lumtur dhe dua ta theksoj është ky karakter ndërkombëtar i Galerisë së Arteve të Kosovës, i cili është duke u fuqizuar çdo ditë e më shumë, që e bënë galerinë si një qendër preferenciale edhe në rajon”, u shpreh ministri Krasniqi.
Ai premtoi se Ministria e Kulturës do ta mbështesë Galerinë e Arteve dhe lidershipin e kësaj galerie në lidhje me projektet e mëtutjeshme.
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Ernst Reichel u shpreh se ka nderin ta hapë këtë ekspozitë dhe është edhe më i nderuar që është edhe Rene Block këtu prezent.
“Jo vetëm për prezencën e tij në cilësinë e kuratorit por edhe për prezencën e tij personale fizikisht”, tha ai.
Ndërkaq, kuratori Rene Block, duke i përshëndetur të pranishmit, theksoi se “kur Erzeni para disa javësh ma ka bërë ftesën për këtë ekspozitë, unë i kam thënë menjëherë po pasi që kam pasur shumë arsye që të rikthehem edhe një herë në Prishtinë”.
“Herën e fundit kur isha para shtatë viteve kam ndihmuar në përgatitjen e ekspozitës ‘Love it or leave it’ pjesë e bienales së Cetinës. Ideja e organizimit të këtyre bienaleve është fakti që këto bienale ta mbajnë në vete frymën artistike”, tha Block.