E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër klandestinë kthejnë tragetin nga rruga

Katër klandestinët të moshës nga 19 vjeç deri në 23 vjeç, banorë të qytetit të Vlorës, janë pikasur nga Kapitaneria e tragetit disa minuta pasi mjeti lundrues ishte nisur nga Porti i Vlorës në drejtim të Brindisit. Klandestinët u zbuluan kur trageti ishte tri milje larg ishullit të Sazanit. Menjëherë, personeli i tragetit i ka izoluar katër të rinjtë në një prej dhomave të tragetit dhe më pas është njoftuar Kapitaneria, si dhe policia portuale. Kanë qenë këto institucione që kanë urdhëruar kapitenin e tragetit të kthejë tragetin pas për në Portin e Vlorës për të zbritur klandestinët.

Kapiteni i tragetit i është bindur urdhrit të Kapitanerisë dhe rreth orës 13:30 të ditës së djeshme është kthyer përsëri në Portin e Vlorës, ku dhe ka zbritur katër klandestinët. Më pas trageti ka rifilluar udhëtimin për në Portin e Brindisit, për të çuar në destinacion rreth 100 pasagjerë.

Klandestinët janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë kufitare dhe ata të policisë kriminale. Të rinjtë nuk kanë pranuar të japin shumë detaje për mënyrën se si e planifikuan kalimin ilegal për në Itali. Ata u thanë oficerëve të policisë se kishin hipur në traget me ndihmën e një punonjësi të tragetit kundrejt shpërblimit, por nuk kanë bërë të ditur emrin e punonjësit dhe as shumën që kanë paguar. Ndërkohë, burimet policore bëjnë të ditur se të rinjtë mund të kenë paguar deri në njëmijë euro secili për të hyrë fshehurazi në traget.

Policia njoftoi zyrtarisht se katër të rinjtë, pasi janë marrë në pyetje, janë gjobitur dhe janë lënë të lirë. Ndërkohë, kanë nisur hetime intensive për të identifikuar personat e dyshuar si organizatorë të trafikut të klandestinëve nëpërmjet linjave të rregullta të lundrimit mes Shqipërisë dhe Italisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›