E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy oficerë policie rrezikojnë burgun

Dënim me burg dhe gjobë ka kërkuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat për ish-shefin e antitrafikut dhe ish-inspektorin e këtij sektori në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Beratit. Pas disa seancave gjyqësore, mesditën e djeshme, organi i akuzës ka kërkuar shpalljen fajtorë dhe dënimin e dy efektivëve të Policisë së Shtetit, Mehmet Rrapo dhe Eno Softa, të cilët edhe aktualisht mbajnë poste drejtuese në Policinë e Shtetit. Mehmet Rrapo është shef i komisariatit të qytetit të Kuçovës, ndërsa Eno Softa shef i sektorit të antitrafikut në Berat.

Dje ka qenë seanca e parafundit e gjykimit të dy oficerëve të lartë të policisë, të cilët akuzohen për veprat penale
"shpërdorim detyre" dhe "kryerje veprimesh arbitrare". Sipas organit të akuzës, pas hetimeve disamujore është arritur të sigurohen prova që fajësojnë dy oficerët e policisë, për akuzat e ngritura ndaj tyre.

Hetimet kanë nisur dy vjet më parë, pas denoncimit të një 22-vjeçareje me inicialet J.Q., e cila akuzonte për abuzime oficerët Rrapo dhe Softa. Gjykimi në gjendje të lirë për dy efektivët Rrapo, ish-shef i antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat dhe inspektorit Eno Softa nisën në muajin maj të vitit 2007.

Ngjarja zuri fill pas denoncimit të prindërve të një 22-vjeçareje, sipas të cilëve, vajza e tyre ishte trafikuar prej disa personave dhe shfrytëzohej si prostitutë në Belgjikë. Me të marrë këtë denoncim, dy oficerët e sipërpërmendur shoqëruan në Komisariatin e Beratit 22-vjeçaren J.Q., e cila kishte ardhur në Shqipëri për të kaluar pushimet pranë familjes.

Vajza pretendon se është mbajtur nën gjendje arresti nga dy oficerët e policisë për rreth 48 orë, pa njoftuar prokurorinë dhe se i është ushtruar presion që të pranonte se shfrytëzohej si prostitutë dhe të padiste si tutor personin me të cilin ajo bashkëjetonte jashtë vendit. Me gjithë presionin e ushtruar, vajza nuk ka pranuar në mënyrë kategorike të bënte padi dhe pas refuzimit të saj, Rrapo dhe Softa kanë qenë të detyruar ta lirojnë.

Por pas kësaj, 22-vjeçarja ka denoncuar në prokurorinë e rrethit veprimin arbitrar të dy punonjësve të policisë. Pas verifikimeve dhe hetimeve paraprake, organi i akuzës ka konkluduar se veprimi i ish-shefit të antitrafikut, Mehmet Rrapo, dhe inspektorit të këtij sektori, Eno Softa, ka qenë i padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin, duke nisur procedimin penal ndaj tyre me akuzën e "shpërdorimit të detyrës" dhe "kryerje të veprimeve arbitrare".

Dje, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Berat, në seancën e parafundit të këtij procesi, prokurori i çështjes ka lexuar konkluzionet dhe në përfundim ka kërkuar shpalljen fajtor të dy oficerëve të policisë dhe dënimin e tyre në total me 5 vjet burg dhe 7 milionë lekë gjobë. Përkatësisht për Rrapon është kërkuar 3 vjet heqje lirie dhe të paguajë shumën e 4 milionë lekëve gjobë, ndërsa për Softën 2 vjet burg dhe 3 milionë lekë gjobë.

Tashmë i ngelet trupit gjykues që në seancën e fundit, të caktuar për në datën 30 qershor, të vendosë përfundimisht se çfarë do të bëhet me dy drejtuesit e policisë. Togat e zeza do të vendosin nëse do të merret parasysh kërkesa e organit të akuzës apo Rrapo dhe Softa do të lirohen nga akuzat që rëndojnë mbi ta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›