E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Wall Mart" bën shoping për shalqinj në Divjakë

Shumë në Shqipëri as që ia hedhin sytë një shalqiri që peshon dy kilogramë, është disi i bardhë nga brenda dhe jo shumë i ëmbël. Por anglezët duket se nuk duan asgjë tjetër.

"Anglezët parapëlqejnë shalqinj të përmasave të vogla, të cilët mund t‘i konsumojnë brenda një dreke në familjet e tyre", tregon Pirro Rapushi, ekspert marketingu në një program të USAID në ndihmë të bujqësisë. "Shqiptarët, ashtu si edhe ballkanasit e tjerë, nuk i ndahen shalqirit të zakonshëm, të varietetit Krizbi e që rritet nga 7 deri në 15 kilogramë", vijon ai. Në një stendë të vogël, gazetarët dhe zyrtarët e USAID, shijuan një pafundësi llojesh shalqinjsh dhe pjeprash. Shumica vijoi të besojë se një shalqi i mirë është vetëm një shalqi i madh.

Dje, një kamion frigoriferik u nis nga Divjaka, ngarkuar me 20 tonë shalqinj të varietetit Guliver, u nis për në Britaninë e Madhe. Në Britani pritet të nisen gjithsej shtatë ngarkesa me 140 tonë. Nuk janë ndonjë sasi e konsiderueshme, por shpresa është që tregtarët do të mësojnë të kapërcejnë pengesat e Bashkimit Europian.

"Marrëveshjet e tregtisë së lirë nuk kanë dhënë kuota për eksportin e shalqinjve dhe ne duhet të paguajmë tarifa doganore kur eksportojmë në Rumani e Greqi", thotë Josif Gorrea, prodhuesi i fidanëve.

Eksporti i bostaneve dhe zarzavateve nuk është ndonjë gjë e re për zonën e Lushnjës, as ndonjë gjë që ndodh rrallë. "Çdo javë, dhjetëra kamionë nisen për në vendet fqinje", thotë Xhorxhi Kruti, një fermer nga Divjaka. "Blerësit vijnë vetë deri këtu, paguajnë paratë dhe nisen". Vetëm se kësaj here, shalqinjtë kanë për destinacion rrjetin e supermarketeve ASDA, e cila është dega Britanike e Wall Mart, ose rrjeti i supermarketeve më i madh i botës. Kruti, i cili ka një fermë prej 30 dynymësh, (fermë nga më të mëdhatë sipas standardit shqiptar), e ka mbjellë pjesërisht me bostane dhe pjesërisht me patate. Në periudha të ndryshme të vitit, punëson deri në shtatë vetë me pagë ditore për të kryer volumin e punës së nevojshme gjatë të korrave. "Është biznes i mirë, por i rrezikshëm", thotë Kruti. "Një ngricë apo një sëmundje mund të të kthejë në zero".

Bujqësia shqiptare ka një rendiment prej më pak se 2 mijë eurosh për hektarë, ndërsa afërsisht ka vetëm një hektarë tokë të punueshme për familje. Kjo e bën fshatin, shtresën më të varfër të popullatës shqiptare. Pak zona në Ultësirën Perëndimore bëjnë dallim. Divjaka, e cila konsiderohet si toka më pjellore në Shqipëri, arrin të japë dy-tre prodhime në vit. Rendimenti i tokës këtu arrin në 7 mijë euro për hektar, gjë që i jep fermerëve një jetesë më dinjitoze se në pjesën tjetër të vendit. Bostanoret këtu luajnë një rol të rëndësishëm. Me një kosto prej 50 mijë lekësh për dynym, dhe me prodhim 50-100 tonë për HA, shalqinjtë janë një biznes i leverdishëm. Çmimi i saj varion në 21-50 lekë për kilogram, në varësi të stinës.

Ekspertët e USAID kanë sjellë edhe diçka të re në panoramën e bujqësisë shqiptare. Për të përshtatur prodhimin me kërkesat e tregut, një rrjet i gjerë furnitorësh prodhuesish dhe tregtarësh janë "integruar" për të plotësuar zinxhirin e furnizimit. Një kompani prodhon fidanët e varietetit të kërkuar në Britani, një tjetër kryen ftohjen në frigorifer për të krijuar qëndrueshmëri në transport dhe një kompani transporti i merr nga Divjaka për t‘i dërguar në Angli me maune frigoriferike. Fermerët ndihen tashmë disi më të sigurt nga luhatshmëritë e motit dhe të çmimeve. Një teknologji e re i izolon bimët gjatë ngricave, duke ia rritur koston kultivimit, por rrit edhe sigurinë, si dhe e bën produktin të gatshëm për treg një javë më herët. Fidanët e rinj janë një shartim i kungullit me shalqirin, gjë që i jep qëndrueshmëri bimës. Hershmëria i mbron fermerët nga rënia e çmimeve. Çmimet e ulëta të shalqinjve dhe mbiprodhimi i ka djegur shumë herë fermerët shqiptarë, por në vitin 1992, mbahet mend se kriza solli edhe humbjen e zgjedhjeve vendore nga qeveria. Anulimi i kontratave të eksportit atë vit, bëri që rrugët e qyteteve të përmbyteshin nga malet e shalqinjve. Çmimi ra në atë pikë sa fshatarët nuk kishin interes as ta merrnin nga fusha. Kriza të tilla vijojnë të përbëjnë shqetësimin kryesor të fermerëve, sa herë që temperatura ngrihet dhe arrin fundi i sezonit. Por të paktën për këtë vit, Xhorxhi Kruti është më i qetë. Një tregtar nga Fieri i pati porositur dje gjashtë tonë shalqinj dhe çmimet janë ende të leverdishme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›