E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i Arsimit të Lartë kalon në KALSH pa u konsultuar

Universitetet do të bëjnë rezistencë, javën e re do të ankimohen zyrtarisht për mospërfshirje në tryezën e bisedimeve

Sherri e shamata e bërë dy muaj më parë nga universitetet publike nuk ka sjellë asnjë ndryshim përveçse përkeqësim të situatës së krijuar. Bëhet fjalë për projektligjin për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë. Konkretisht, një muaj më parë u ra dakord që ndryshimet do të konsultoheshin në radhët e profesorateve dhe universitetet do të ishin pjesëmarrësit kryesorë në marrjen e vendimeve për ndryshime apo amendimet kryesore dhe thelbësore në ligjin e arsimit të lartë.

Pak kohë më parë, vetë kreu i Arsimit në konferencën e rektorëve sqaroi se projektvendimi do të miratohet shumë shpejt, por në atë ditë askush nga përfaqësuesit e universitetit nuk ka bërë koment.

Duke nisur nga java e re, përfaqësuesit e universiteteve në vend do të sqarojnë zyrtarisht shqetësimin e tyre për mospërfshirjen në procesin e amendimit të disa pikave në ligjin aktual të arsimit të lartë, ndërkohë që drafti i pandryshuar, edhe pas diskutimeve që pati, është prezantuar javën e kaluar në KALSH, Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Konfirmohet zyrtarisht nga universitetet publike se nuk kanë dhënë argumentet dhe nuk kanë qenë pjesë e një tryeze të përbashkët për të diskutuar rreth problemeve që ka drafti, por edhe për ndryshimet e nevojshme për të vendosur rregull mes cikleve të studimit dhe problematikave të lindura prej tyre në sistemin e arsimit të lartë.

Projektligji

Sipas draftit parashikohet që master i shkencave, programet e studimit të ciklit të dytë i pajisnin të diplomuarit që zotërojnë diplomën bachlor me njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë, brenda një specialiteti. “Programet e studimeve ë ciklit të dytë realizohen me 120 kredite, ku përfshihen 30-40 kredite të projektit kërkimor dhe të tezës dhe kohëzgjatja e tyre është 2 vite akademike.

Në përfundim të programeve të integruara të studimeve lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimit të kryer”, thuhet në projektligjin “për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë”. Ndërkohë që në këtë draft thuhet se programet e studimit master u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë universitare së paku bachelor arsimin dhe trajnimin e mirëfilltë profesional. Programi i studimeve master realizohet me 90 kredite dhe kohëzgjatja e tyre është 1.5 vite akademike.

Në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma universitare master në fushën e arsimit e të trajnimit profesional të kryer.

Kriteret

Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të pranojnë kandidatët që kanë fituar diplomën master në studimet e ciklit të dytë master i shkencave dhe të vendosin kritere për njohjen e transferimin e krediteve të vlefshme të fituara në studimet e masterit që i përgjigjen programit të studimeve të ciklit të dytë. Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të ofrojnë edhe programe të studimeve jouniversitare, profesionale, pas arsimit të mesëm, me jo më pak se 120 kredite. Kohëzgjatja e këtyre programeve është jo më pak se dy vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë profesionale në fushën e arsimit të kryer.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›