Katër kuqezinj në turneun Pavarësia
Boks
Shqipëria do të përfaqësohet me katër boksierë në turneun ndërkombëtar të boksit, “Pavarësia”, që do të zhvillohet në Kosovë. Ky aktivitet, i organizuar nga Federata Kosovare e Boksit (FBOXK) për nder të Ditës së Pavarësisë, do të startojë të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë. Përveç kuqezinjve, aty do të marrin pjesë boksierë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga krahina e Sanxhakut. Serxho Sima në peshën 64 kg, Alban Bermeta (75 kg), Shkëlqim Bega (75 kg) dhe Fatjon Sorra (91 kg) do të jenë përfaqësuesit kuqezinj mes 23 boksierëve që marrin pjesë në këtë aktivitet. Zyrtarët e FBOXK-it kanë pohuar se janë kryer të gjitha përgatitjet e duhura për mbarëvajtjen e turneut. “Në turneun ‘Pavarësia’ do të marrin pjesë 23 boksierë dhe do të zhvillohen rreth dhjetë ndeshje. Përveç boksierëve që përfaqësojnë Kosovën (11 të tillë), aty do të hipin në ring edhe boksierë nga Shqipëria, Maqedonia (4 boksierë), Mali i Zi (2) dhe Sanxhaku (2)”, tha drejtori i përfaqësueses kosovare, Xhevdet Peci.
#