E Shtunë, 31 Tetor 2026

Slishkoviç: E njoh Shqipërinë, nuk e rivalizon dot Bosnjën

Euro 2012
Ish-trajneri i Tiranës (2008-2009) na shikon si pengesë të papërfillshme në Grupin D

Kundërshtarët me peshë në Grupin D as nuk e llogarisin Shqipërinë si një pengesë për ecurinë e tyre drejt realizimit të synimeve në eliminatoret e Europianit 2012. Por fakt interesant është që tashmë i është “rritur mendja” edhe Bosnjës, e cila pas paraqitjeve të mira në eliminatoret e Botërorit 2010, ku u shkualifikua vetëm pas humbjes në “playoff” ndaj Portugalisë, tani e ka “shënjestrën” e lartë. Ish-trajneri i Tiranës, Blazh Slishkoviç, mendon se Kombëtarja shqiptare në futboll nuk mund t'i nxjerrë telashe vendit të tij, Bosnjë-Hercegovinës. Në një intervistë të dhënë të martën për faqen sportive në internet "Sportin.ba", botuar edhe në të përditshmen kosovare “Koha Ditore”, Slishkoviç ka pohuar se Bosnja duhet të mendojë vetëm për Francën dhe Rumaninë, për të fituar Grupin D eliminator të Euro 2012. Kundërshtare të Bosnjës në këtë grup janë Shqipëria, Franca, Rumania, Bjellorusia dhe Luksemburgu. Slishkoviç, i cili e ka drejtuar Kombëtaren e Bosnjës nga 2002-2006, por ka qenë edhe trajner i Tiranës në sezonin 2008-2009, pretendon se e njeh mentalitetin shqiptar. “Mendoj se me Shqipërinë nuk do të kemi probleme të mëdha, është shprehur Slishkoviç. Në kualifikimet e fundit befasisht kanë arritur të marrin një pikë nga Portugalia dhe Danimarka, por veç kësaj nuk kanë bërë asgjë më shumë. Pasi njoh mirë mentalitetin e tyre, them se nëse kualifikimet i nisin me fitore, atëherë mund të nxjerrin probleme, në të kundërtën komplet ekipi do të përjetojë rënie dhe do të futet në depresion, sepse ata nuk janë lojtarë që mund të nxirren lehtë nga kriza. Franca është favoriti më i madh i këtij grupi dhe për ta nuk ka shumë fjalë, pasi kanë një skuadër të stërmbushur me yje". Edhe mesfushori boshnjak i Lionit, Miralem Pjaniç, vlerëson të papërfillshëm potencialin e Shqipërisë. "Grupi është shumë i mirë dhe kemi gjasa të mëdha për kualifikim. Franca është favoritja kryesore, por ajo është e pamposhtur. Po ashtu, mund të matemi edhe me Rumaninë", ka thënë Pjaniç. "Sa i përket Shqipërisë dhe Bjellorusisë, është njësoj si të luash kundër Luksemburgut, edhe pse nuk bën të lirohemi kundër autsajderëve".

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›