Pejiç ekzekuton Vllazninë

Nga ndeshja Vllaznia - Skënderbeu 1-3
Bind Skënderbeu i Josës, shkodranëve u mungon fantazia e saktësia para portës.
Super-debutim i kroatit me kampionët, kuqeblutë e Duros në tapet.
Kishte arsye trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, kur ngulmonte për Pero Pejiçin. Por oferta më e ulët e shkodranëve bëri që sulmuesi të firmoste për Skënderbeun. Dhe konfirmimi erdhi që në ndeshjen e parë të kampionatit: Vllaznia 1 Pejiçi 3.
Më keq se kaq nuk mund të niste kampionati për kuqeblutë. Edhe pse luhej në tempullin e tyre Loro Boriçi, edhe pse nuk mungoi atmosfera e mbështetja e mijëra tifozëve shkodranë, edhe pse përballë nuk kishin Skënderbeun më të mirë (ndoshta më të kujdesshmin), përsëri armata e re e Duros tregoi limite negative të frikshme, thuajse në çdo repart. Mbrojtja e shkujdesur, mesfusha pa fantazi dhe sulmi i varur vetëm nga koka e Rexhës. Nga ana tjetër, kampionët në fuqi thjesht vunë në punë cilësitë e padiskutueshme të Pejiçit dhe natyrisht ky i fundit, në ndryshim total nga sulmuesit kuqeblu, shkoi tri herë te porta dhe shënoi tre gola, duke i dhënë kështu Skënderbeut tri pikët e para të sezonit.
Ndeshja Nën një atmosferë të bukur, ku nuk munguan edhe ceremonitë e rastit, dhe me një dekor të mrekullueshëm të tifozërisë vendëse, startoi Vllaznia-Skënderbeu, e cila ngriti edhe siparin e kampionatit të 74-t të futbollit. Të dy trajnerët kanë hedhur në fushë 11- shet më të mira, paçka se korçarët janë të privuar nga kapiteni Shkëmbi. Në fillim duket se është Vllaznia ajo që i merr iniciativat, duke qenë se provon si me gjuajtje nga distanca, edhe me dalje nga krahët, kryesisht me rumunin Dragoi. Por, vetëm kaq ama. Në gabimin e parë në mesfushë, Skënderbeu i ndëshkon: Deliç humb topin, të cilin e merr Lilaj. Ky i fundit pason për Pejiç dhe fundi është i kuptueshëm: rrjetë. Vendësit tentojnë të reagojnë, por regjia me Deliç nuk funksionon, ndërsa Nallbani në mesfushë dhe Hysa në sulm janë thuajse sa për numër. Por, sikur të mos mjaftonte fakti se Vllaznia vuan përpara, vjen edhe gafa e kapitenit Beqiri, i cili, i pozicionuar keq, nuk arrin ta markojë siç duhet Pejiçin. Kroati merr një top me kokë nga Plaku dhe vërshon drejt portës, duke shënuar golin e dytë. Nuk ka më Vllazni në fushë, pasi kuqeblutë janë totalisht të shpërfytyruar. Kapitullimi Muzika nuk ndryshon as në pjesën e dytë, pasi miqtë e nisin menjëherë me sulme dhe natyrisht nuk vonon goli. Kros në zonë për Pejiç, Beqiri sërish gabon në mënyrë amatoreske duke lënë të pamarkuar kroatin, i cili përballë Vujadinoviçit nuk e ka të vështirë të trefishojë. Trajneri Duro nuk arrin tu besojë syve, ndërsa Josa nga ana tjetër nuk i përmbahet gëzimit duke festuar së bashku me lojtarët. Gjithsesi, kuqeblutë nuk dorëzohen dhe mundohen që të rikthehen në lojë, teksa tekniku tiranas bën menjëherë ndryshime në formacion për të fuqizuar mesfushën, realisht reparti më problematik. Përgjigjet janë të menjëhershme si me Rexhën dhe më pas me Beqirin, por mungon goli. Ky i fundit do ti ndizte disi shpresat e vendësve vetëm në minutën e 77-të, kur Smajli gjuan fort në hyrje të zonës me të majtën, duke e përplasur topin dy herë në shtyllë para se sfera të përfundonte në rrjetë. Goli i bukur që i zgjon kuqeblutë, por jo deri në atë stad sa të shikojmë rrejta të tjera, kjo edhe për faktin se Hysa gabon të pagabueshmen, përballë portierit Shehi, ndërsa Rexha është thuajse jetim në zonën e mbrojtur nga dy gjigandë, si Gvozdenoviç dhe Bici.
VLLAZNIA-SKËNDERBEU 1-3
Shënues: Smajli 77/ Pejiç 19, 34, 47
Kartonë të verdhë: Osmani, Belisha, Rexha/ Lilaj
Gjyqtarë: Laver Alla/ D.Korreshi dhe D.Rexha
Delegat: Ilir Shulku
Vëzhgues: Plarent Kotherja
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Smajli, E.Beqiri, Osmani, Begaj (Shtubina 70), Dragoi, I.Nallbani, Deliç (Semina 53), Hajdari (Belisha 82), Hysa, Rexha. Trajner: Shpëtim Duro
SKËNDERBEU: Shehi, Radas, Bici, Gvozdenoviç, Arapi, Orelesi, Lilaj, Dimo (Vrapi 63), Kërçiku (Çaushaj90+2), Plaku (Kuli 84), Pejiç. Trajner: Mirel Josa
SUPERIORE/ JAVA 1
Vllaznia-Skënderbeu 1-3
Shënues: Smajli 77/ Pejiç 19, 34, 47
Sot
Apolonia-Kastrioti 17:00
KF Laçi-Besa 17:00
Tomori-Tirana 17:00
Nesër
Bylisi-Flamurtari 17:00
Kukësi-Luftëtari 17:00
Shkumbini-Teuta 17:00
Duro: Humbëm prej gafave dhe…Pejiçit
Trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, e ka të vështirë të kapërdijë një rezultat të tillë në startin e sezonit dhe për më tepër në fushën e tij. Ai ka vlerësuar kundërshtarin dhe në veçanti lojën e Pejiçit. Futbolli i tillë është, pasi ka të papritura, por gjithsesi kjo nuk është një humbje normale për ne, aq më tepër në ndeshjen e parë të sezonit. Mund të them me bindje se loja që u zhvillua nuk i shkonte përshtat këtij rezultati. Jemi goditur nga Skënderbeu në momentin tonë më të mirë. Meritë pati edhe portieri Shehi, i cili priti disa gjuajtje të rrezikshme. Sakaq, pakujdesia në mbrojtje bëri që ne të ndëshkoheshim. Natyrisht diferencën e bëri një lojtar si Pejiçi, i cili shkoi tri herë te porta jonë dhe shënoi tre gola, ka pohuar pas ndeshjes së djeshme Duro.
Josa: Fituam se ishim më rezultativë
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ka vlerësuar mikpritjen shkodrane si dhe lojën e skuadrës së tij. Nuk bëhet fjalë fare që kjo fitore ishte për hakmarrje ndaj Vllaznisë. Falënderoj tifozët shkodranë për mikpritjen që më bënë mua personalisht, por edhe skuadrës. Më duhet të them se në fillimin e ndeshjes patëm momentet jo të mira dhe mund të ndëshkoheshim. Vllaznia mund të na shënonte dy herë, por ne ishim me fat që realizuam në momentin më të mirë të kundërshtarit. U treguam një skuadër më kompetitive dhe që shfrytëzuam në maksimum gabimet e kundërshtarit. Unë e pata thënë që në ndeshjen e Superkupës me Tiranën që skuadra është në formë të mirë, paçka se në atë rast ne u ndëshkuam edhe nga fati, ka pohuar dje Josa.
NDERIMI PËR VIORI SINANIN
Para ndeshjes së djeshme është organizuar edhe një ceremoni lamtumire për një nga sulmuesit më të mirë të të gjitha kohërave te Vllaznia e Shkodrës, Vioresin Sinanin. Para ndeshjes, Sinani bëri xhiron tradicionale përreth Loro Boriçi- t, duke i dhuruar madje edhe fanellën e tij një tifozi. Më pas presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dhuroi një pllakatë mirënjohjeje në emër të Federatës. Të njëjtën gjë bëri edhe nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Troshani, i cili i dhuroi golashënuesit një pllakatë me mbishkrimin Krenaria e Shkodrës.