E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër pikë për Scudetto

Nga Express më 27 prill 2011 në ora 09:31

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri beson se skuadrës së tij i nevojiten vetëm edhe katër pikë nga katër ndeshjet e fundit për të siguruar titullin e kampionit në Serie A. Rossonerët kanë tetë pikë epërsi në krye të tabelës në rrugë drejt Scudettos së parë, pas shtatë viteve.

I intervistuar nga Sky Italia, Allegri tha: “E diela mund të mos mjaftojë. Ne duhet të mendojmë për këto katër pikë që na nevojiten për të fituar titullin. Kemi bërë gjithçka që ka qenë e mundshme. Ekipi ka dhënë maksimumin duke konsideruar mundësitë e tij. Ne kemi mundur ta mposhtim Tottenhamin, nuk e arritëm, por nuk kemi asgjë për çka duhet të kritikojmë veten. Klubi ka punuar në mënyrë të shkëlqyeshme, në gusht me ardhjen e futbollistëve si Ibrahimoviç, Robinho, Boateng dhe Yepes, e më pas edhe në janar, kur kishim 12 të lënduar”.

Allegri lavdëroi edhe kontributin e sulmuesit Antonio Cassano, i cili ishte njëri prej përforcimeve të ardhura në janar. “Deri më tani jam i lumtur me atë që ka bërë Cassano. Ai ka qenë vendimtar në shumë ndeshje”, shtoi Allegri. I pyetur se çka parasheh e ardhmja për Milanin, Allegri tha:

“Të mendojmë tani për të ardhmen, do të ishte gabim. Duhet të mendojmë vetëm për Serie A. Pastaj për gjysmëfinalen e Copa Italia, në mënyrë që t’i realizojmë këto dy objektiva, që janë më të rëndësishmet”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›