Katër programe punësimi për gratë dhe studentët
• Katër programe punësimi për gratë dhe vajzat e papuna si dhe studentët do të vihen në zbatim këtë vit. Këtë bëjnë me dije drejtuesit e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.Programet në vlerën e 200 milionë lekëve të financuara nga Ministria e Punës, shkojnë paralelisht me strategjinë e punësimit dhe formimit profesional, në funksion të luftës kundër papunësisë dhe të balancimit të nivelit social. Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e katër programeve të formimit profesional, u ka kërkuar të gjitha drejtorive rajonale të punësimit në vend të paraqesin kërkesat e tyre për të tërhequr fonde. Këtë vit janë hequr nga planifikimi i fondeve ato rrethe që vazhdojnë programet trevjeçare, të cilat aktualisht janë në vitin e dytë të implementimit të tyre. Megjithëse me përqindje të lartë papunësie, është hequr nga planifikimi rrethi i Kukësit për arsye se përmbarimi ka bllokuar zërin "Nxitje Punësimi" pranë degës së thesarit të këtij rrethi. Ky rreth do të përfitojë programe të nxitjes së punësimit me rialokim të fondeve, që do të kryhet në fund të gjashtëmujorit të vitit. Ndërsa rrethet Kuçovë dhe Tepelenë, të konsideruara me papunësi të lartë, janë vende që nuk kanë subjekte për të përfituar nga programet e punësimit. Nga analiza e tregut të punës në Shqipëri, vërehet se në listën e punëkërkuesve të regjistruar në zyrat e punës, përqindjen më të lartë të tyre e zënë persona me kualifikim të ulët ose pa kualifikim, gjë që e bën të vështirë integrimin e tyre në tregun e punës dhe përshtatjen me kërkesat në rritje të tij për punëtorë të specializuar. Nisur nga ky fakt, një nga objektivat e Ministrisë së Punës dhe zyrave të punës, për vitin 2008 është kualifikimi i këtyre të papunëve në përputhje me kërkesat e tregut të punës.