SHBA: Tre vendet kanë bërë shumë për në NATO
• Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë progresin e bërë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia, një muaj para Samitit të Bukureshtit.TIRANEZëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështjet evropiane, Kurt Volker, tha në një prononcim për "Zërin e Amerikës" se përparimi i bërë nga të tre vendet kandidate, duke përfshirë Shqipërinë, ka qenë i shkëlqyer. Sipas tij progresi i bërë nga tre vendet e Kartës së Adriatikut do të diskutohet gjatë samitit që do të mbahet muajin e ardhshëm, ku një ndër temat kryesore do të jetë edhe ajo e zgjerimit. "Ne mendojmë se ato kanë bërë një punë të shkëlqyer. Rezultatet e të tre vendeve kanë qenë mjaft të fuqishme dhe këto ne do t'i diskutojmë në NATO, ku vendimi merret me konsensus. Pra, bazuar në rezultatet, bazuar në kontributet për sigurinë, ne mendojmë se ato kanë bërë shumë dhe ne i mbështesim aspiratat e tyre", tha zyrtari amerikan. Volker, i cili është emëruar nga Presidenti Bush si ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO dhe pret konfirmimin e Senatit, tha se anëtarësimi i të tre vendeve në Aleancë, do të kontribuonte në sigurinë afatgjatë të rajonit, sidomos tani në kushtet kur është shpallur pavarësia e Kosovës. "Ky është një rast i mirë në Ballkan për të lënë pas një herë e mirë dhunën e viteve '90, dhe për ta futur të gjithë rajonin në shekullin e 21", tha zyrtari i lartë amerikan. Ndërkohë nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de hop Sheffer, ka theksuar se ende nuk janë prerë biletat për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë. Por në fjalën e tij në Institutin Brookings në Uashington, Sheffer la të kuptohet se të tre vendet kanë bërë përparim të dukshëm në reformat që do t'i kualifikonin për anëtarësim. "Edhe tani që flasim, "biletat" për ftesat nuk janë shtypur ende. Përsa u përket ftesave, ato nuk jepen automatikisht. Pra, këto vende duhet të vazhdojnë punën për reformat dhe duhet ta bëjnë procesin e reformave të pakthyeshëm", tha Sekretari i Përgjithshëm. Pak ditë më parë gjatë një takimi kokë më kokë me Presidentin Xhorxh Bush, zyrtari i lartë i NATO-s, bëri të ditur se zgjerimi i aleancës është në axhendën e samitit në prill të këtij viti. "Presidenti e kishte fjalën për zgjerimin e NATO-s. Shtetet që interesohen për këtë gjë, duhet të vazhdojnë reformat. Nuk është dërguar ende asnjë ftesë, por zgjerimi i NATO-s do të jetë në axhendë në Samitin e Bukureshtit", theksoi Sheffer në fjalën e tij para mediave. Aleanca i merr vendimet me konsensusin e të gjitha shteteve anëtare prandaj zyrtarët e saj më të lartë janë të kujdesshëm në deklaratat se cili vend do të marrë ftesën për anëtarësim.Bush: Pres vlerësimin për A3Presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush u kërkoi tre vendeve të Kartës Adriatik 3 të vazhdojnë të plotësojnë detyrimet në prag të anëtarësimit në NATO. "Shpresat janë që shtetet që kanë aplikuar për t'u bashkuar me NATO-n, të vazhdojnë të plotësojnë detyrimet që dalin nga plani për anëtarësim. Unë pres që të kem nga ju një vlerësim për reformat dhe progresin që është bërë nga këto tre vende, përpara se të hedhim në votë zgjerimin". "Mezi po pres të vij në Bukuresht për të mbështetur përpjekjet tuaja për të siguruar se NATO është një organizatë e rëndësishme që ka si synim të sjellë siguri dhe paqe ne botë", iu drejtua Bush, sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.