Anijet e NATO, vizitë në Durrës
• Pesë anije të Grupit të 2-të detar të NATO-s nisën dje një vizitë portuale operacionale në Shqipëri.Grupi i këtyre anijeve, pjesë e flotës turke, gjermane, greke, italiane dhe angleze, është një forcë detare aktive shumëkombëshe e NATO-s, e krijuar si një formacion i gatishmërisë së lartë dhe me manovrueshmëri të lartë për kryerjen e një spektri të gjerë misionesh, nga paqja deri në konflikt. Ai bën pjesë në strukturën e Komponentit Detar të NATO-s në Napoli. Në këtë kuadër, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u takua me komandantin e Grupit të 2-të Detar të NATO-s, k/admiralin Sinan Ertugrul dhe disa ushtarakë të tjerë të lartë të këtij Grupi. Ministri Mediu i njohu ushtarakët e lartë të NATO-s, me arritjet dhe progresin e bërë nga Forcat e Armatosura Shqiptare për reformimin dhe transformimin e tyre sipas standardeve që kërkohen, si dhe për angazhimin e madh të të gjithë strukturave tona për të merituar ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit.