Lumbardhi i Prizrenit do të jetë varri i tij!
Bekim Fehmiu pat lënë një letër lamtumire para se të kryente aktin e vetëvrasjes, ku u shkruante familjarëve se i donte dhe ku lutej ta kuptonin. Kështu ka bërë të ditur djali i tij, Hedoni në një intervistë për gazetën serbe “Alo!”. Ai ka shtuar më tej se dëshira e babait të tij ka qenë që Lumbardhi i Prizrenit të kthehej në varrin e tij. “Gjithmonë i ka thënë nënës se kur të vijë ai moment, hiri i tij të shpërndahet në Lumbardhin e Prizrenit. E ka dashur atë qytet, ishte shtëpia e tij të dytë. Pasi të përfundojë kremacioni, ne do të shkojmë atje për ta përcjellë në banesën e përjetshme”, tregon dëshirën e familjes së tij, Hedoni. Më tej Hedoni ka ndarë kujtimet për babanë e dashur. “Ai gjithmonë ka thënë që nëse nuk është vital, energjik me trup dhe shpirt, nuk dëshiron të jetojë. Dhe, nëse diçka e tillë i ndodh, do të shtie me një plumb në ballë! Ne gjithmonë nuk e kemi marrë seriozisht, duke menduar se është tepër romantik, por ai ka qenë gjithmonë konsekuent!” - thotë Hedoni. Ai shton se deri në muajin shkurt, Bekim Fehmiu ka qenë mjaft aktiv, pastaj pësoi një goditje dhe gjithçka ndryshoi. “Ai ishte i pafuqishëm, u plak pothuajse brenda natës. Lëvizte dobët, fliste dobët, nuk ishte më i njëjti njeri dhe këtë e ndiente. Nuk e ka dashur një fund të tillë...”, kujton djali, që së bashku me të ëmën kanë gjetur mbi shtrat trupin e të atit. “Ai ishte një njeri i rrallë”, përfundon Hedoni.
#