E Diel, 1 Nëntor 2026

“Katër vitet e ardhshëm, 7 milionë turistë dhe 45 mijë të punësuar më shumë”

25-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha bashkëbisedim me operatorët turistikë të vendit, lançon projektet e turizmit për katër vitet e ardhshme

Premtimi i kryeministrit: Ulje të TVSH-së për disa shërbime turistike, përfshirë edhe hotelet – hiqen taksat për investimet në zonat malore

“Në 4 vitet e tjera qeveria do të hartojë projektet e mëdha turistike, për t’ia ofruar kompanive dhe vendeve me mundësi të mëdha financiare”

Kryeministri Sali Berisha zgjodhi dje qytetin bregdetar te Durrësit për të zhvilluar një bashkëbisedim me pronare, menaxher hotelesh, restorantesh, operatore, drejtues te kompanive te mëdha turistike te vendit. Në këtë takim, për më shumë se dy orë, kryeministri dëgjoi vlerësimet, propozimet, mendimet, vërejtjet, kritikat, sugjerimet e tyre për zhvillimin e mëtejshëm te turizmit dhe formave te tij ne Shqipëri.
Duke theksuar potencialin e madh turistik që ofron Shqipëria, kryeministri u shpreh se turizmi sot është shndërruar në degë kryesore të ekonomisë ndërsa numri i turistëve dhe vizitorëve është rritur nga 300 mijë që ishin në vitin 2004 në 4.7 milionë në vitin 2012 ndërkohë që të ardhurat nga ky sektor u rritën disa herë, numri i të punësuarve kalon mbi 150 mijë. Kreu i qeverisë theksoi se me uljen e TVSH-së, lehtësimet e reja fiskale dhe hartimin e projekteve të mëdha të zhvillimit të turizmit, synohet që numri i turistëve dhe vizitorëve në 4 vitet që vijnë të rritet në 7 milionë dhe numri i të punësuarve në këtë fushe të rritet me 30 për qind.
Në takimin me operatorët turistikë të vendit, kryeministri tha se për katër vitet e ardhshme parashikohet një rritje prej rreth 45 mijë të punësuarish më shumë.
“Turizmi në ekonominë shqiptare është bërë një degë kryesore me rritjen më të shpejtë se në të gjithë degët e tjera. Ne çdo rrafsh që të analizosh Shqipërinë, gjen vetëm një përgjigje: Potenciali më i madh është potenciali turistik dhe pastaj vijnë potenciale të tjera zhvillimore te vendit. Nga viti 2004 e deri më sot,  Shqipëria ka pasur rritjen më të shpejtë dhe më të fuqishme të numrit të vizitorëve dhe turistëve, nga 300 që ishin në vitin 2004 në 4,7 milion turistë në vitin 2012 që lamë pas. Qeveria është përpjekur shumë të ndjekë këto ritme shumë të shpejta të bumit turistik të vendit dhe në këtë hark kohor të shkurtër, ne kemi bërë përpjekjet më të mëdha për një infrastrukturë bazë të përshtatshme për turistët. Janë ndërtuar nga viti 2006 e deri më sot rreth 504 km rrugë të destinacionit strikt vetëm turistik, nga këto 351 km rrugë që zbresin nga akset kombëtare direkt në brigjet e detit Adriatik dhe Jon dhe 154 km janë rrugë, të cilat ecin drejt majave dhe destinacioneve të zonave të turizmit malor. Ju ftoj të vazhdojmë dialogun në interesin më  të mirë të kësaj dege të ekonomisë shqiptare e cila punëson sot rreth 150 mijë qytetarë shqiptare dhe që ne synojmë në 4 vitet që vijnë me 30 për qind punësimin në këtë degë, synojmë që numri i turistëve dhe vizitorëve në vitin 2017 të jetë rreth 7 milion dhe ky do të ishte një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ne besojmë se Shqipëria i ka të gjithë potencialet për të krijuar në këtë degë vende pune dhe 30 për qind më shumë gjatë viteve që vijnë për të rritur numrin e turistëve dhe vizitorëve në 7 milion, në vitin 2017”, u shpreh kryeministri.
Kreu i mazhorancës njoftoi se në 4 vitet e tjera qeveria do të hartojë projektet e mëdha turistike, për t’ia ofruar kompanive dhe vendeve me mundësi të mëdha financiare.
“Po punohet për një masterplan të zonave malore turistike të vendit. Në 4 vitet që vijnë, qeveria ka ndërmend, përveç të tjerash, të marrë përsipër hartimin e projekteve të mëdha turistike, për tua ofruar këto projekte kompanive dhe vendeve që kanë mundësi të mëdha financiare. Nuk kemi ecur në këtë praktikë deri më sot. Kjo do të jetë një praktikë e re, në të cilën ne do të angazhohemi për të hartuar me kompanitë më serioze në botë, projektet e zhvillimit të zonave më të bukura turistike të vendit”, tha ai.
Ndërkaq, kryeministri pranoi kërkesën e bërë prej tyre për uljen e TVSH-së mbi disa shërbime turistike, përfshirë hotelet, pasi përvoja e vendeve të rajonit tregon për një “bum” turistik duke i bërë shërbimet dhe paketat më të lira për turistët.
“Unë jam dakord që TVSH-ja duhet të rishikohet. Do të zhvillojmë një takim të gjerë me zyrtarët e financave që natyrisht kanë mendimet e tyre dhe të arrijmë në një zgjidhje më të mirë për sa i përket turizmit, operatorëve dhe funksionimit të logjistikës në Shqipëri. Jam i mendimit se kjo edhe në rast se të privon pjesërisht nga një sasi të ardhurash, në një të ardhme të afërt, ajo do të kompensohet plotësisht nëpërmjet shtimit të numrit të turistëve apo shtimit të llojeve të shërbimeve ndaj tyre”, theksoi kryeministri. 
Kryeministri Berisha bëri të ditur gjithashtu se shumë shpejt do të miratohet edhe një ligj tjetër që përjashton nga çdo taksë për 7 vjet të gjithë ata që investojnë në turizmin malor. Në këtë drejtim, kryeministri garantoi operatorët turistikë dhe bizneset në tërësi për ruajtjen e politikës së taksave të ulëta.
“Ne do të kalojmë shumë shpejt ligjin që të përjashtojë për 7 vjet, nga çdo taksë të gjithë ata që investojnë në zonat malore. Këtë e bëjmë sepse të themi të vërtetën jemi me të shkuar të fortë malore, por jo me turizëm malor. Unë vizitova pronarin e një hoteli shumë të mirë në Dardhë. Edhe ai i guximshëm, dardhar vetë, kishte ndërtuar një hotel shumë të mirë. Në Dardhë mund të shkohet, megjithatë frekuentimi i këtij hoteli ishte larg asaj që duhet të ishte për vetë shërbimet e shkëlqyera që ofronte. Duhet të bëjmë gjithçka për të ecur edhe drejt turizmit malor. Shqipëria është vend malor para së gjithash, dhe ne do të bëjmë gjithçka për zhvillimin e turizmit malor. Ne kemi ndjekur një politikë fiskale realisht shumë tolerante, në qoftë se ndonjëri do të hedhe vështrimin tek të ardhurat që realizohen nga kjo dege  kryesore e ekonomisë, ato janë larg asaj që realizon çdo vend tjetër, por kjo ka qenë një politike e qëllimshme sepse pjesa dërrmuese e turizmit dhe vizitorëve përballohet në kushte familjare, jo në kushte të hoteleve me shumë yje, gjë e cila na ka bërë ne të lejojmë ecjen dhe të mos jemi dorështrënguar ndaj këtyre familjeve , këtyre komuniteteve dhe e vërteta është se kemi mbajtur një politike të drejtë, sepse po të shohim sot hartën e varfërisë, pasi varfëria nuk zhduket tërësisht, por do të shohim se këtu në zonën e turizmit, ajo është më minimalja që mund të jetë. Ne jemi dhe do të mbetemi qeverisje e taksave të ulëta dhe kjo është filozofia për ne dhe kjo jo se nuk na duhen paratë, por ne besojmë se paraja në kontot e qytetarëve shqiptarë është më e vlefshme për shoqërinë shqiptare, sesa paraja në arkën e shtetit, sepse paraja në kontot tuaja do të thotë investim më racional, do të thotë zgjerim i biznesit, do të thotë krijim i vendeve të punës , më me eficencë, sesa paraja që investohet nga sektori publik”, tha Berisha.
Gjithashtu, kryeministri Berisha mori në shqyrtim edhe një propozim të operatorëve turistik që lidhet me zhvendosjen e muajit të zhvillimit të zgjedhjeve. Kryeministri premtoi se do jetë promotor i këtij ligji për të ndryshuar datat e zgjedhjeve, të cilat aktualisht korrespondojnë gjithnjë me sezonin turistik veror.
“Është absolutisht racional propozimi juaj për lëvizjen e muajit të zgjedhjeve. Unë nuk mund tu them ju se për këto zgjedhje do të realizohet, por absolutisht do ta nisim sepse është në interesin më të mirë të vendit që këto zgjedhje të përgjithshme por edhe lokalet të mos kapin muajt e kulmit turistik , por duke pasur parasysh këtë degë kryesore te ekonomisë , ato të zhvillohen në tetor, ato të zhvillohen në mars dhe kjo i jep një përgjigje dhe është shumë racionale. Unë do të përpiqem dhe ju garantoj se do të jem promotor i këtij ligji për të ndryshuar datat e zgjedhjeve. Keni shumë të drejtë. Kur shohim mitingje pas mitingjesh turistët, ata thonë, le t’i mbyllin njëherë mitingjet këta”.
Njëkohësisht në këtë bashkëbisedim u trajtuan një sërë çështjesh ku në fokus ishte pikërisht ndërtimi i infrastrukturës për të mundësuar zhvillimin e turizmit në vend. “Unaza e Shqipërisë që nis në Valbonë e përfundon në Vermosh ka qenë një nga projektet e vështira, por jetike për të gjitha qëllimet, që të mos vdesin territore të mëdha të vendit. Kemi zbritur nga Valbona në Librazhd, por lëvizim në këtë drejtim. Por ka mbetur segmenti Përmet, Leskovik, Kolonjë, Korçë. Segment që do të ndërtohet dhe do jetë projekt i rëndësishëm në katër vitet e tjera. Unë isha para disa muajsh në fushë-Studen, e cila ishte mahnitëse. Ajo  ishte rreth 20 minuta nga Librazhdi. Pra ne po ecim. Vazhdimi i kësaj Unaze Korçë - Përmet do të jetë përparësi e jona. Edhe Përmet - Tre urat ka disa zhvillime pozitive, por sidoqoftë, Kolonjë-Leskovik-Korçë është me probleme”, garantoi kreu i qeverisë.
Në këtë drejtim, kreu i mazhorancës premtoi dhe asfaltimin e rrugës deri në Theth, një zonë kjo e turizmit malor që tërheq mjaftë turistë.
“Lidhur me rrugën e Thethit. Rruga është në ndërtim e sipër. Fondi shqiptar i Zhvillimit në dijeninë time e ka të prokuruar ose po ecën drejt Qafë Tërthores.
Ka pasur ide turistike që të mos e asfaltojmë, pra të shkojë deri në qafë Tërthorë me asfalt dhe pastaj të mos asfaltohet, por për ta lënë për ecje apo për çiklizëm. Por ne do ta asfaltojmë. Unë jam dakord me ty, por apoteozën më të mrekullueshme Thethit ia ka bërë Rose Wilder Lane në librin e saj ‘Majat e Shalës’, libër i cili për shumë vite është kuotuar si ‘best seller’ për librat e udhëtimeve, duke i përshkruar me aq dashuri kreshtat dhe majat e luginës së Thethit dhe të Shalës, sikur të ishin gjallesa. E vërteta është që ka një bukuri mahnitëse në atë luginë dhe përtej saj. Kështu që do të ecim drejt saj”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›