“Katër vitet e ardhshme, mësuesit pagë 700 dollarë”
Berisha merr pjesë në kremtimin e 100-vjetorit të shkollës së parë shqipe në Ishëm
Kryeministri Sali Berisha ishte dje i ftuar në shkollën e mesme të bashkuar “Rexhep Mezini” në Ishëm, për kremtimin e 100 vjetorit të saj.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se hapja e shkollës 100 vjet më parë është dëshmi e dashurisë dhe vendosmërisë për dije dhe përparim, ndërsa e konsideroi Ishmin, me pozicionin e tij gjeografik, “kështjellë natyrale e Durrësit dhe Shqipërisë në historinë tonë kombëtare”.
Kryeministri shprehu nderimin më të madh për ata që kontribuuan në hapjen e shkollës së parë 100 vite më parë. Kreu i qeverisë solli në vëmendje reformat e qeverisë në fushën e arsimit, ndërsa premtoi investime të mëdha në arsim në katërvjeçarin e ardhshëm dhe paga më të lartë për arsimtarët. “Sot, ne kremtojmë 100 vjetorin e shkollës, në të cilën janë të vendosur laboratorët më moderne. Unë vizitova këtu laboratorin e biologjisë, informatikës, bibliotekën, muzeun, të gjitha dëshmi të modernitetit të kësaj shkolle. Vizitova edhe dhomën e internetit falas për komunitetin. Ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit. Garantoj mësueset e mësuesit se ne që rritëm rrogat e tyre nga 120-150 për qind në harkun kohor 2006-2012, në mandatin e ri do të rritet jo më pak se 700 dollarë rroga e mësuesit në Shqipëri”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri u zotua se qeveria do të bëjë gjithçka, për të bërë çdo investim që kjo komunë e mrekullueshme ka nevojë në fushën e arsimit dhe infrastrukturës. “Ju përshëndes për thirrjen që ju u bëtë nxënësve, vajzave e djemve të Ishmit që të preferojnë e ndjekin arsimin profesional. E vërteta është se Ishmi ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe ju garantoj se mandati i ri do të jetë mandati i projekteve më të mëdha në historinë e Shqipërisë në fushën e turizmit, mandat me të cilin ne synojmë të thithim miliarda dollarë nga Velipoja gjer në Ksamil dhe një nga zonat më të bukura është Ishmi me Kepin e Rodonit, Gjirin e Lalzit dhe zonën e tij bregdetare. Ju ftoj të vazhdojmë së bashku përpjekjet tona për një arsim të zhvilluar, për të vendosur Ishmin, për të vendosur Shqipërinë, në shinat e dijes”, tha kryeministri Berisha, duke iu drejtuar kreut të Komunës Ishëm.
Më 5 prill 1913 u hap shkolla e parë shqipe në Ishëm. Në fillim, shkolla kishte 40 nxënës, që vinin nga të gjithë fshatrat e komunës. Me djegien e Ishmit më 1914 u dogj edhe shkolla, por patriotët e rindërtuan shkollën dhe përsëri filloi mësimi. Në vitin 1918 mbaruan mësimet 15 nxënësit e parë. Sot, shkolla ka 360 nxënës, 3 kabinete informatike dhe laboratorë të ndryshëm për një proces bashkëkohor të mësimdhënies.