Berisha: E djathta e Bashkuar, fitore historike më 23 qershor
Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Shijak-Gjepalaj, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 150 milionë lekë
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë inaugurimit të rrugës Shijak-Gjepalaj, se e djathta e bashkuar po shkon drejt zgjedhjeve si shumicë dërrmuese e shqiptarëve.
Kreu i qeverisë u shpreh i bindur për fitoren e mandatit të tretë qeverisës, pasi siç tha ai, Partia Demokratike ka mbajtur premtimet. “Po shkojmë drejt zgjedhjeve të 23 qershorit. Partia Demokratike dhe e djathta shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si shumicë dërmuese e shqiptarëve; shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si forcat politike që integruan Shqipërinë në NATO, që liberalizuan vizat; shkojnë si forcat politike të cilat ngritën dhe po ngrenë infrastrukturën më moderne në Shqipëri, po transformojnë Shqipërinë rurale, dyfishuan rrogat dhe pensionet, ulën papunësinë”, u shpreh Berisha.
Kreu i ekzekutivit premtoi se katër vitet e ardhshme, e djathta e bashkuar do anëtarësojë Shqipërinë në BE. “Në katër vitet e ardhshme, Partia Demokratike dhe e djathta e bashkuar do të shndërrojnë Shqipërinë në vend të zhvilluar, do të shënojnë hapa vendimtare drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ne jemi ndryshimi- Përpara, përpara!”, tha kryeministri.
Duke ndarë gëzimin me banorët për rikonstruksionin e rrugës Shijak-Gjepalaj, Berisha tha se ajo lehtëson në shkallë maksimale lidhjen e banorëve me Shijakun, Durrësin, Tiranën, rrugë që bën të mundur tregtimin me shpejtësi të prodhimeve, të bizneseve, të vendeve të reja të punës.
Ndërkaq, në komunën Gjepalaj janë bërë investime shumë serioze në infrastrukturë, së shpejti do të fillojë edhe rruga drejt Çizmelisë, drejt Shetelit dhe do të përfundojë edhe ura e Erzenit.
Projekti i rrugës Shijak-Gjepalaj, me gjatësi 6.3 kilometër, është një investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 159.485.350 lekë dhe lidh komunën Gjepalaj me bashkinë Shijak. Rruga, e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, u vjen në ndihmë 6 000 banorëve të kësaj zone, të cilët merren me bujqësi, blegtori, pemëtari, vreshtari, etj., duke iu lehtësuar atyre transportin e prodhimeve drejt tregut të Durrësit dhe më gjerë.
Banoret e komunës Gjepalaj përpara rikonstruksionit të rrugës ishin të detyruar të kalonin nëpërmjet lumit Erzen në Pjezë, në një urë që ishte gati në shembje. Ndërtimi i kësaj ure tashmë është në përfundim nga fondet e buxhetit të shtetit. Pjesë e këtij projekti ka qenë edhe ndërhyrja në qytetin e Shijakut në rrugën Çamëria, lagja Dushk, e cila është trajtuar me parametrat e një rruge urbane bashkëkohore.
Nga subvencionet në bujqësi, në periudhën 2007-2012, në komunën Gjepalaj kanë përfituar gjithsej 219 fermerë, prej të cilëve 121fermere, me 83 hektarë tokë, në mbjellje ulliri; 21 fermerë, me 16 hektarë tokë, në mbjellje vreshtash; 23 fermerë, me 12 hektarë tokë, në mbjellje pemësh frutore; 30 fermerë, me 50 hektarë, në ujitjen me pika; 24 fermerë, me 900 krerë lopë, në ferma blegtorale.