E Diel, 1 Nëntor 2026

Mima: Projekti i shekullit për Shqipërinë, do të hapen 20 mijë vende të reja pune

06-04-2013 / Gazeta 55

Shqipëri-TAP, firmoset marrëveshja përfundimtare për ndërtimin e gazsjellësit. Drejtori i TAP, Tungland: “Sjell zhvillim të qëndrueshëm për vendin”

Ministri i ri i Ekonomisë, Florjon Mima e nisi ditën e parë të punës në këtë institucion, me firmosjen përfundimtare të marrëveshjes Shqipëri-TAP, për projektin e gazsjellësit. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i METE, Florjon Mima dhe drejtori i Përgjithshëm i TAP-it, Kjetill Tungland.
Ministri Mima, duke vlerësuar rëndësinë e projektit, tha se zbatimi i tij, në rast se do të zgjidhet fitues, do të ndikojë në mënyrë progresive në ekonominë vendase. “Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përfunduar të Palës Pritëse midis Këshillit të Ministrave dhe Konsorciumit TAP Shqipëria tregon mbështetjen e fuqishme për Projektin TAP, që ja vlen të cilësohet si projekti i këtij shekulli për vendin tonë, por dërgon një mesazh shumë të qartë, Konsorciumit në Shah Deniz në Azerbajxhan që TAP është i mirëpritur në Shqipëri dhe Qeveria jonë do të bëjë çdo gjë dhe do të marrë çdo masë për realizuar këtë projekt strategjik. Vlen të cilësohet si projekti i këtij shekulli për vendin tonë. Realizimi i projektit TAP do të krijojë direkt dhe indirekt afro 20 mijë vende pune në Shqipëri. Por, mbi të gjitha, realizimi i këtij projekti do të jetë transformues për Shqipërinë nga ana energjetike”, u shpreh Mima.
Nga ana e tij, drejtori i projektit TAP, Kjetill Tungland, u shpreh se mbështetja e treguar nga qeveria shqiptare, rrit mundësitë e përzgjedhjes së projektit për transportimin e gazit nga fusha e Shah-Deniz II në Azerbajxhan. Tungland ka garantuar gjithashtu, edhe mbështetje teknike dhe logjistike të qeverisë shqiptare për hartimin dhe vënien në zbatim të strategjisë kombëtare të gazifikimit. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një hap i rëndësishëm për sa i përket besueshmërisë së gazsjellësit TAP. Konsorciumi i Shah Deniz duhet të përzgjedhë gjatë muajit Qershor mes TAP dhe Nabucco, gazsjellësin që do të transportojë gazin drejt Europës. TAP ka mundësitë më të mira për shkak të marrëveshjeve që ka nënshkruar me palët pritëse, kohës së shkurtër të zbatimit të projektit, etj. Zbatimi i projektit të TAP-it i ofron Shqipërisë mundësi furnizimi me gaz të lirë. Investimi që do të kryhet në Shqipëri përmes zbatimit të këtij projekti, llogaritet mbi 2 miliardë dollarë dhe gjatë ndërtimit dhe funksionimit të tij do të punësohen mbi 20 mijë qytetarë shqiptarë. Ndërtimi i gazsjellësit do të zgjasë katër vjet dhe pas përfundimit do të transportojë 10 milionë metër kub gaz. Projekti është parashikuar që të transportojë dyfishin e kësaj sasie.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Drejtori i Përgjithshëm, Kjetill Tungland, falënderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen teksa shtoi se projekti TAP do të hapë vende të reja pune. Gazsjellësi TAP është një projekt me rëndësi strategjike për kontributin ekonomik e zhvillimor për vendin tonë, por edhe për gjithë rajonin. Ky projekt, veçanërisht për Shqipërinë, paraqet mundësi për diversifikimin e burimeve të energjisë, përmes gazifikimit të vendit. Shteti shqiptar, i përfshirë në negociata intensive me konsorciumin TAP, është angazhuar për të krijuar lehtësi në zbatimin e projektit, duke krijuar lehtësitë ligjore dhe infrastrukturore për projektin. Gazsjellësi Trans Adriatik do të sjellë gazin natyror nga fusha e Shah Deniz 2 në detin Kaspik, në Europën Perëndimore.
Berisha - Tungland: Qeveria shqiptare mbështetje të plotë projektit të gazsjellësit TAP/ Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim delegacionin e kompanisë TAP, të  kryesuar nga Menaxheri i Përgjithshëm, Kjetil Tungland. Takimi u zhvillua në kuadrin e firmosjes së Marrëveshjes Pritëse Qeveritare ndërmjet Republikës së Shqipërisë e TAP AG, sot, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Tungland shprehu mirënjohjen e tij për progresin e arritur në negocimin e Marrëveshjes Pritëse Qeveritare si një dokument i rëndësishëm që rregullon marrëdhëniet e Shqipërisë me kompaninë TAP AG për përmbushjen e projektit të gazsjellësit TAP.
Marrëveshja, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së projektit, përfshin parashikimet ligjore rreth aspekteve rregullatore e të lejeve, trajtimit ekonomik-fiskale, si dhe aspekteve mjedisore e sociale të projektit në territorin shqiptar.
Tungland shprehu mirënjohjen edhe për ratifikimin në Parlament të Marrëveshjes Ndërqeveritare mes Italisë, Shqipërisë e Greqisë rreth projektit të TAP-it. Të dyja marrëveshjet e arritura janë pjesë themeltare të paketës në mbështetje të aplikimit të TAP pranë Konsorciumit të Shah Deniz-it. Kryeministri ritheksoi angazhimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të plotë të projektit të TAP- it. Nënshkrimi i marrëveshjeve në fjalë është shprehje e seriozitetit maksimal të qeverisë shqiptare përkushtuar negocimit me kompaninë TAP. Ai shprehu bindjen se projekti TAP është projekti më fizibël i plotësuar me të gjithë kuadrin dokumentar të një cilësie të lartë, i nevojshëm për shqyrtim nga Konsorciumi i Shah Deniz-it. Konsorciumi i Shah Deniz-it pritet të japë vendimin përfundimtar për përzgjedhjen mes projekteve TAP e Nabucco  brenda qershorit 2013.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›